Veliu: LDK duhet të reflektojë dhe të hap proces demokratik pas humbjes
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka reaguar pas dështimit të partisë në zgjedhjet e fundit, duke kërkuar llogaridhënie politike dhe një reflektim të thellë brenda strukturave të saj. Në një deklaratë publike, Veliu ka theksuar se humbjet e njëpasnjëshme të LDK-së nuk janë të rastësishme, por përbëjnë “një verdikt të qartë…
Lajme
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka reaguar pas dështimit të partisë në zgjedhjet e fundit, duke kërkuar llogaridhënie politike dhe një reflektim të thellë brenda strukturave të saj.
Në një deklaratë publike, Veliu ka theksuar se humbjet e njëpasnjëshme të LDK-së nuk janë të rastësishme, por përbëjnë “një verdikt të qartë politik”. Ai ka shtuar se mungesa e reflektimit pas këtyre humbjeve nuk është vetëm një gabim, por një refuzim për të marrë përgjegjësi.
Sipas tij, një parti që aspiron të fitojë besimin e qytetarëve nuk mund të veprojë sikur humbjet të ishin pa autorë, duke nënvizuar se mbyllja ndaj kritikave, mungesa e analizës dhe dominimi i vendimmarrjes nga një grup i ngushtë ka dëmtuar seriozisht LDK-në, duke e larguar nga misioni i saj.
Veliu ka kërkuar hapjen e një procesi të brendshëm demokratik dhe konkurrues, me garë të vërtetë në të gjitha nivelet. Ai ka theksuar se, “Askush nuk është mbi partinë. Askush nuk ka mandat të përhershëm nga humbja.” Ai ka paralajmëruar se, nëse nuk ka një reflektim dhe ndryshim, drejtimi aktual i LDK-së do të mbetet i papranueshëm dhe nuk i shërben të ardhmes së partisë. /Lajmi.net/