Procesi i numërimit të votave në Mitrovicë, Hajdari jep detaje

Kryetari i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Mitrovicë, Bajram Hajdari, ka bërë të ditur se sot në ora 12:00 ka nisur procesi i numërimit dhe verifikimit të votave, i cili deri më tani po zhvillohet rregullisht dhe pa probleme. Sipas tij, aktualisht janë të angazhuara 10 ekipe të numërimit, ndërsa në tavolinat e punës…

Lajme

29/12/2025 18:20

Kryetari i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Mitrovicë, Bajram Hajdari, ka bërë të ditur se sot në ora 12:00 ka nisur procesi i numërimit dhe verifikimit të votave, i cili deri më tani po zhvillohet rregullisht dhe pa probleme.

Sipas tij, aktualisht janë të angazhuara 10 ekipe të numërimit, ndërsa në tavolinat e punës ndodhen 10 kutitë e para që kanë hyrë në proces.

“Gjithçka është duke shkuar mirë dhe pa vërejtje. Shpresojmë që procesi të vazhdojë me këtë ritëm dhe të përfundojë me sukses. Tani ka filluar edhe numërimi për kandidatët dhe presim që këto kuti të përfundojnë deri rreth orës 16:00, kur përfundon ndërrimi i parë”, ka deklaruar Hajdari.

Ai theksoi se deri më tani nuk është raportuar asnjë parregullsi apo ankesë nga numëruesit.

Në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë do të verifikohen dhe numërohen gjithsej 102 kuti të rregullta. Ndërkohë, votat me kusht nuk do të numërohen në këtë qendër, por në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

“Janë 102 kuti të rregullta që do t’i nënshtrohen verifikimit dhe numërimit këtu”, ka shtuar Hajdari.

Dje, janë zhvilluar zgjdhjet e parakoshme parlamentare në Kosovë, dhe nga ky proces sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, partia e parë ka dalë LVV, e dyta PDK,e treta LDK dhe AAK e katërta./kp