Qytetarët të kënaqur me procesin zgjedhor në Gjakovë, shpresa për ndryshim

Procesi i votimit në Shkollën “Yll Morina”, në Gjakovë po zhvillohet pa probleme. Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e shkollës, Aida Stublla, e cila ka theksuar se deri në orën 09:00 kanë votuar rreth 231 qytetarë, ndërsa gjithsej janë 9 mijë e 136 votues të regjistruar në 10 vendvotime. “Procesi siç po shihni është…

Lajme

28/12/2025 11:52

Procesi i votimit në Shkollën “Yll Morina”, në Gjakovë po zhvillohet pa probleme. Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e shkollës, Aida Stublla, e cila ka theksuar se deri në orën 09:00 kanë votuar rreth 231 qytetarë, ndërsa gjithsej janë 9 mijë e 136 votues të regjistruar në 10 vendvotime.

“Procesi siç po shihni është jashtëzakonisht mirë, ka frekuentim të qytetarëve…Deri më tani gjithçka ka qenë në rregull…kësaj radhe e kemi (tavolinën informuese) kanë qenë të planifikuar dy, veç një kandidat ka ardhë, mirëpo jam duke asistuar edhe unë si menaxhere e qendrës…Deri më tani kemi rreth 231 persona deri në orën 09:00…Gjithsej i kemi 10 vendvotime, numri i votuesve është 9 mijë e 136…Fluksi është shumë më i madh, krahasim me zgjedhjet lokale që kanë qenë herëve të kaluara..

Ajo shtoi se për personat me nevoja të veçanta është angazhuar ekip i posaçëm që u mundëson votimin, ndërsa deri më tani nuk është evidentuar ndonjë rast që ka kërkuar asistencë brenda qendrës së votimit.

“Për personat me nevojë është ekipi i posaçëm që shkojnë direkt edhe votojnë, përndryshe nuk kemi të evidentuar ndonjë rast që kanë nevojë për asistencë në qendrën tonë”, thotë Stublla.

Qytetarët e intervistuar shprehen të kënaqur me mbarëvajtjen e procesit dhe shpresat për ndryshim.

Qytetari Skënder Xerxa ka thënë se gjatë votimit nuk ka hasur në parregullsi.

“Shumë në rregull, shumë mirë…Nuk pati (ndonjë parregullsi)…prej këtyre presim të ndryshojë këtë sistem që ka qenë deri tash pesë vite, që na ka fikur me pasuri e më të gjitha, me shku në drejtim të duhur”, thotë Xerxa.

Ndërkohë, Ardian Pali, i cili jeton jashtë vendit, ka bërë të ditur se ka ardhur posaçërisht për të votuar.

“Të Gjakovës jemi, por jetojmë në perëndim, mirëpo jemi ardhë ekstra për të votuar…Është një ndjenjë shumë e mirë, dhe shpresojmë se do e merr subjekti politik që mendojmë ne…Presim diçka më mirë dashtë zoti”, thotë Pali.

Edhe qytetarja Ajne Rama ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në votim.

“Gjithmonë kam votuar…Presim më mirë, kemi qejf të fitojë drejtësia, dhe duhet të fitojë”, thotë Rama.

Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,999,204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77,086 votues.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.