Musliu: Lista Serbe po shkel heshtjen zgjedhore në veri të Kosovës

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka deklaruar se Lista Serbe ka shkelur Rregulloren Zgjedhore Nr. 07/2024 gjatë ditës së votimit, duke vepruar në kundërshtim me rregullat e heshtjes zgjedhore. Sipas Musliut, pas një fushate të ashpër ndaj subjekteve të tjera politike që përfaqësojnë komunitetin serb, sot në Mitrovicën e Veriut po vërehen veprime që, sipas…

Lajme

28/12/2025 09:20

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka deklaruar se Lista Serbe ka shkelur Rregulloren Zgjedhore Nr. 07/2024 gjatë ditës së votimit, duke vepruar në kundërshtim me rregullat e heshtjes zgjedhore.

Sipas Musliut, pas një fushate të ashpër ndaj subjekteve të tjera politike që përfaqësojnë komunitetin serb, sot në Mitrovicën e Veriut po vërehen veprime që, sipas tij, përbëjnë shkelje serioze të ligjit zgjedhor. Ai ka theksuar se këto veprime bien ndesh me Nenin 8 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024, i cili ndalon aktivitetet me karakter fushate gjatë ditës së zgjedhjeve.

Musliu ka deklaruar se Lista Serbe po u bën thirrje simpatizantëve të saj që të grumbullohen para zyrave partiake në Mitrovicën e Veriut dhe në disa komuna të tjera, në kohën kur votimi ka filluar dhe heshtja zgjedhore është në fuqi.

“Çdo grumbullim apo aktivitet me qëllim fushate gjatë ditës së votimit përbën shkelje të drejtpërdrejtë të rregullores zgjedhore”, ka theksuar Musliu.

Ai ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës, të reagojnë dhe të ndërmarrin masa ligjore ndaj këtyre veprimeve.

Musliu ka rikujtuar gjithashtu se Lista Serbe është ndëshkuar edhe gjatë fushatës zgjedhore, duke u gjobitur me 30 mijë euro pas një ankese të paraqitur nga një subjekt tjetër politik serb, për shkelje të ligjit zgjedhor. /Lajmi.net/