KOSOVA VOTON!
Kosova sot mban zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në të cilat qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj parlamentarë. Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të drejtë vote kanë gjithsej 1,999,204 qytetarë, prej të cilëve 1,019,891 janë burra dhe 979,313 gra.…
Lajme
Kosova sot mban zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në të cilat qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj parlamentarë.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të drejtë vote kanë gjithsej 1,999,204 qytetarë, prej të cilëve 1,019,891 janë burra dhe 979,313 gra. Nga ky numër, 77,086 votues janë të regjistruar jashtë Kosovës, transmeton lajmi.net.
Procesi i votimit zhvillohet në 910 qendra votimi, me gjithsej 2,557 vendvotime, të shpërndara në të gjitha komunat e vendit. Ndërkaq, votimi me kusht do të realizohet në 38 qendra të veçanta, me 57 vendvotime, nga një qendër për secilën komunë.
Komuna e Prishtinës ka numrin më të madh të votuesve me 219,516 qytetarë, e pasuar nga Prizreni me 187,233 votues, Ferizaj me 121,287, Gjakova me 120,712 dhe Peja me 117,413 votues. Në anën tjetër, komunat më të vogla për nga numri i votuesve janë Mamushë, Parteshi dhe Ranillugu.
KQZ ka bërë thirrje që qytetarët të informohen me kohë për qendrën dhe vendvotimin e tyre, ndërsa votimi me kusht lejohet vetëm në qendrat e përcaktuara, të cilat kryesisht janë objekte shkollore, shtëpi kulture apo ndërtesa komunale.
Zgjedhjet e sotme konsiderohen vendimtare për orientimin e ardhshëm politik të vendit, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe procesi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe demokratike./lajmi.net/