IPK arrestoi 41 punonjës të Policisë së Kosovës gjatë vitit 2025

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar të dhëna për aktivitetet e tij gjatë vitit 2025, duke evidentuar një rritje të konsiderueshme të pranimit të ankesave dhe intensifikim të veprimeve disiplinore ndaj punonjësve të Policisë së Kosovës. Gjatë këtij viti, IPK ka pranuar 2,480 ankesa, një rritje mbi 20% krahasuar me vitin 2024, kur ishin…

Lajme

26/12/2025 15:07

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar të dhëna për aktivitetet e tij gjatë vitit 2025, duke evidentuar një rritje të konsiderueshme të pranimit të ankesave dhe intensifikim të veprimeve disiplinore ndaj punonjësve të Policisë së Kosovës.

Gjatë këtij viti, IPK ka pranuar 2,480 ankesa, një rritje mbi 20% krahasuar me vitin 2024, kur ishin pranuar 2,046 ankesa. Nga këto, 1,753 ankesa janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për trajtim në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës në Policinë e Kosovës, transmeton lajmi.net.

Ndërkohë, 717 ankesa janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve të IPK-së për dyshimin e veprimtarisë penale, ndërsa pjesa tjetër janë dërguar në institucione të tjera dhe Departamentin e Inspektimeve.

Gjatë vitit 2025, IPK ka ndërmarrë veprime konkrete për forcimin e integritetit policor, duke arrestuar gjithsej 47 të dyshuar, prej të cilëve 41 janë punonjës të Policisë së Kosovës dhe 6 qytetarë. Institucioni ka dhënë gjithashtu 129 rekomandime për suspendim dhe 2 për transferim. Në prokuroritë kompetente janë dorëzuar 110 kallëzime penale, 36 raporte të veçanta dhe 85 raporte informuese.

Më të shpeshtat veprat penale të hetuara nga IPK këtë vit kanë qenë keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, rrezikim i trafikut publik, lëndimi i lehtë trupor dhe kanosje.

Në kuadër të inspektimeve të kryera gjatë vitit, IPK ka realizuar 12 inspektime, prej të cilave 5 të rregullta dhe 7 të jashtëzakonshme, duke dhënë gjithsej 76 rekomandime për përmirësimin e performancës policore. Inspektimet kanë përfshirë fusha të ndryshme, si menaxhimi i punësimit dytësor, reagimi ndaj thirrjeve të qytetarëve, përdorimi i teknologjisë për matjen e shpejtësisë në trafik, trajtimi i dhunës në familje, administrimi i automjeteve të sekuestruara dhe menaxhimi i qendrave të ndalimit.

IPK ka theksuar gjithashtu bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Prokurorinë e Shtetit, EULEX, OSBE dhe partnerë të tjerë, për të fuqizuar kapacitetet profesionale dhe integritetin policor. Institucioni falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe siguron se do të vazhdojë angazhimin për një shërbim policor të përgjegjshëm, profesional dhe transparent.

NJOFTIMI I PLOTË: 

Përmbledhje e aktiviteteve të Inspektoratit Policor të Kosovës gjatë vitit 2025

Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij, të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara.

IPK gjatë vitit 2025 (deri më 26 dhjetor) ka pranuar dhe ka menaxhuar me 2480 ankesa. Prej tyre 1753 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës, 717 nga to janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve në IPK më dyshimin për veprimtari penale (pjesa tjetër janë përcjellë në institucione tjera dhe në Departamentin e Inspektimeve).

Bazuar në trendët e pranimit të ankesave këtë vit IPK ka pranuar mbi 20% më shumë ankesa krahasuar me vitin e kaluar (2046 ankesa në vitin 2024) e që i referohet kryesisht disa faktorëve si: fuqizimit të besueshmërisë së qytetarëve në Inspektoratin Policor, transparencës së institucionit etj.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në kuadër të angazhimeve dhe fushëveprimit ligjor për fuqizimin e integritetit policor, për periudhën kohore janar – dhjetor (deri më 26 dhjetor) të vitit 2025 ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime:

  • ka arrestuar 47 të dyshuar (41 punonjës të PK-së dhe 6 qytetarë),
  • ka dhënë 129 rekomandime për suspendim,
  • ka dhënë 2 rekomandime për transfer,
  • në prokuroritë kompetente janë dorëzuar 110 Kallëzime Penale, 36 Raporte të Veçanta dhe 85 Raporte Informuese.

Gjatë këtij viti 5 veprat penale më të shpeshta që janë trajtuar/hetuar nga IPK-ja janë:

  1. “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”
  2. “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”
  3. “ Rrezikim i trafikut publik”
  4. “Lëndimi i lehtë trupor” dhe
  5. “Kanosje”.

Përgjatë këtij viti IPK ka realizuar 12 inspektime prej të cilave 5 të rregullta dhe 7 të jashtëzakonshme . Nga këto inspektime, deri në këtë fazë janë dhënë 76 rekomandime për përmirësimin e performances policore.

Inspektimet janë si vijon:

  • Menaxhimi i punësimit dytësor në Stacionin Policor të Podujevës,
  • Menaxhimi i punësimit dytësor në Stacionin Policor të Mbikëqyrjes së Kufirit – Gjilan,
  • Reagimi në thirrjet e qytetarëve dhe raportimi i aktiviteteve policore,
  • Vlerësimi i performances së Stacionit Policor të Prizrenit,
  • Përdorimi i teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve në trafik,
  • Vlerësimi i performances së Stacionit Policor të Mitrovicës (Jugu),
  • Administrimi i automjeteve të sekuestruara,
  • Trajtimi i dhunës në familje nga Policia e Kosovës,
  • Ekzekutimi i urdhëresave të gjykatave,
  • Vlerësimi i aktiviteteve dhe masave për ngritjen e sigurisë në komunitet (Novo Bërdë),
  • Vlerësimi i trajtimit dhe procedimit të rasteve të trafikimit me narkotikë,
  • Menaxhimi i Qendrës së Ndalimit në Stacionin Policor të Podujevës.

Gjatë këtij viti, IPK-ja ka pasur disa aktivitete nën vazhdën e përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me qytetarë dhe partnerë të ndryshëm, me organizata qeveritare e jo qeveritare dhe me media.

IPK ka vazhduar angazhimet dhe aktivitetet në kuadër të bashkëpunimit vendor, rajonal e ndërkombëtar duke vlerësuar lartë bashkëpunimin dhe përkrahjen institucionale nga Ministria e Punëve të Brendshme,  Prokuroria e Shtetit, dhe agjencitë tjera.

Me agjencitë homologe të rajonit ka pasur një bashkëpunim të shtuar  si dhe në angazhimet në kuadër të Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore.

IPK vazhdon të jetë aktive në Partneritetin Evropian Kundër Korrupsionit (EPAC), si mekanizëm i Këshillit të Evropës, përmes përfaqësimit në konferenca, punëtori dhe vizita studimore si dhe pjesëmarrjes në  konferencën vjetore të realizuar këtë vit në SHBA në Shoqatën Kombëtare të Hetimeve të Brendshme (NIAIA).

Edhe këtë vit IPK ka vazhduar të mbështetet nga partnerët ndërkombëtar si ICITAP, OSBE, EULEX, HAPE të cilët kanë kontribuuar në ngritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale përmes programeve të trajnimeve dhe mbështetjes logjistike.

IPK falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunim me zotimin se do të vazhdojmë të mbesim  të  përkushtuar në adresimin e shqetësimeve të qytetarëve, në misionin e përbashkët për të zhvilluar një shërbim policor me integritet të lartë profesional dhe me standarde evropiane.

Të dhënat tjera shtesë dhe më në detaje do të bëhen publike në raportin vjetor të IPK-së për vitin 2025./lajmi.net/