Kim Jong Un urdhëron rritjen e prodhimit të raketave për parandalim lufte
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka kërkuar shtimin e prodhimit të raketave dhe predhave të artilerisë, si dhe ndërtimin e objekteve të reja për prodhimin e municioneve, me qëllim përmbushjen e nevojave gjithnjë e më të mëdha të ushtrisë së vendit. Lajmi u bë i ditur nga mediat shtetërore të Phenianit. Gjatë…
Bota
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka kërkuar shtimin e prodhimit të raketave dhe predhave të artilerisë, si dhe ndërtimin e objekteve të reja për prodhimin e municioneve, me qëllim përmbushjen e nevojave gjithnjë e më të mëdha të ushtrisë së vendit. Lajmi u bë i ditur nga mediat shtetërore të Phenianit.
Gjatë inspektimeve në disa fabrika të industrisë së mbrojtjes, Kim u shoqërua nga zyrtarë të lartë dhe u kërkoi strukturave përkatëse të përgatiten për një periudhë intensive pune. Ai theksoi se rritja e prodhimit të raketave dhe predhave ka një rol kyç në forcimin e aftësive parandaluese të shtetit ndaj kërcënimeve të mundshme, transmeton lajmi.net.
Për të rritur kapacitetet ekzistuese dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të forcave të armatosura, lideri koreano-verior urdhëroi edhe ndërtimin e fabrikave të reja të municioneve.
Kjo lëvizje vjen një ditë pasi Kim Jong Un vizitoi një kantier detar ku po ndërtohet një nëndetëse e madhe, e përshkruar nga autoritetet si e pajisur me energji bërthamore dhe e aftë për lëshimin e raketave. Pamjet e publikuara nga mediat shtetërore e tregojnë atë duke inspektuar anijen në ndërtim, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë dhe vajza e tij.
Ishte hera e parë që publiku shihte pamje të plota të nëndetëses pas disa muajsh, pasi më herët ishin shfaqur vetëm pjesë të saj. Sipas analistëve nga Koreja e Jugut, forma dhe dizajni i anijes sugjerojnë se ajo mund të jetë e pajisur me reaktor bërthamor dhe se ndodhet në fazat përfundimtare përpara daljes në det.
Gjatë vizitës, Kim kritikoi planet e Koresë së Jugut për zhvillimin e nëndetëseve me energji bërthamore, duke paralajmëruar se një veprim i tillë do të rriste tensionet në rajon dhe do të paraqiste rrezik për sigurinë kombëtare të Koresë së Veriut./lajmi.net/