Vizioni i Hysni Muhadrit, dikur pjesëtarë i UÇK-së tani pjesë e Kuvendit në Gjakovë- Si është të jesh asamblist për herë të parë në Gjakovë?

Zgjedhjet komunale të 12 tetorit treguan transparencë dhe vendosmëri të qytetarëve për të udhëhequr komunat me kryetarët dhe kandidatët më të përgatitur, të cilët prezantuan fushata të qarta dhe premtime të realizueshme. Bashkë me kryetarët e komunave, kandidatët për asamblist nga partitë përkatëse morën pjesë në zgjedhje, raporton lajmi.net. Për herë të parë, një kandidat…

Lajme

03/01/2026 20:38

Zgjedhjet komunale të 12 tetorit treguan transparencë dhe vendosmëri të qytetarëve për të udhëhequr komunat me kryetarët dhe kandidatët më të përgatitur, të cilët prezantuan fushata të qarta dhe premtime të realizueshme.

Bashkë me kryetarët e komunave, kandidatët për asamblist nga partitë përkatëse morën pjesë në zgjedhje, raporton lajmi.net.

Për herë të parë, një kandidat i PDK-së, ish-drejtori i Inspektoratit në Gjakovë, Hysni Muhadri, arriti të marrë shumicën e votave të nevojshme për të siguruar një ulëse në Kuvendin Komunal.

Që në fillim, Muhadri kishte njoftuar përmes Facebook-ut se do të kandidojë për asamblist, duke u bazuar në përvojën e tij të mëparshme si drejtor në Gjakovë.

Postimi i tij i parë ishte i 2 shtatorit, ku ai deklaroi përgatitjen për zgjedhjet komunale dhe vendosi numrin 4 si kandidat nga radhët e PDK-së.

Me përvojën e tij të madhe dhe mbështetjen e qytetarëve, Muhadri arriti të siguronte ulësen në Kuvendin Komunal.

“Ishte ndjenjë e mirë, dhe ishte një vlerësim e konsideratë për punën katërvjeçare si drejtor”, u shpreh Muhadri për lajmi.net.

Ai shtoi se mbështetja nga votuesit nuk erdhi rastësisht, por për shkak të përkushtimit të tij në punën e kaluar.

“Motivimi im për të kandiduar për Asamblenë Komunale erdhi nga dëshira për t’u angazhuar direkt për përmirësimin e jetës së komunitetit tonë dhe nga përvoja e kaluar si drejtor. Kam vërejtur se shumë nevoja të qytetarëve nuk po adresohen sa duhet, sidomos në fushat e infrastrukturës, shëndetësisë dhe arsimit lokal. Besoj se ishte koha që angazhimi i qytetarëve të pasqyrohet në veprime reale për Hasin dhe Gjakovën”, tha tutje Muhadri.

E mbështetjen më të madhe, Muhadri e kishte në Damjan të Hasit, ku PDK-ja me bartësin e listës, Hajdar Beqa, arriti të merrte 320 vota. Pas numërimit të votave për asamble, Muhadri u konfirmua si pjesë e Kuvendit me gjithsej 411 vota.

“Të nderuar qytetarë,
Me mbështetjen tuaj arritëm fitore në garën për Kuvendin Komunal të Gjakovës, me 411 vota besimi!
Faleminderit Demjan! 🙏
Faleminderit Has! 🙏
Faleminderit Gjakovë! 🙏
Faleminderit secilit prej jush që më besuat dhe më mbështetët në këtë rrugëtim.
U dëshmua që bashkë mund të bëjmë më të mirën. Ky sukses është i gjithi i juaji”, shkroi Muhadri më 20 tetor.

Hysi, i njohur me këtë emër nga banorët hasjanë, pas numërimit të votave, më 5 dhjetor rreth orës 11:00 të mëngjesit, e bëri betimin si asamblist në Kuvendin Komunal të Gjakovës me nder dhe përgjegjësi të plotë para votuesve dhe gjithë qytetarëve të Republikës.

“Faleminderit nga zemra të gjithë qytetarëve dhe votuesve që më besuan vizionin për të ecur përpara së bashku. Premtoj se do të punoj pa lodhje për të përmirësuar jetën e komunitetit tonë gjatë këtyre katër viteve”, u shpreh Muhadri.

Muhadri ishte edhe pjesë e protestës në Hagë më 14 shtator kundër Gjykatës Speciale, për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët.

Protesta e 14 shtatorit u thirr nga mërgata shqiptare dhe u mbështet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK).

Hysni Muhadri është ish-veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur për sakrificën dhe përkushtimin e tij ndaj atdheut.

Përvoja e tij në shërbim të vendit dhe komunitetit reflektohet edhe në karrierën e tij profesionale si drejtor në Gjakovë, ku ka treguar rezultat konkret përmes vendimeve të mençura, punës efektive dhe transparencës në veprime./Lajmi.net/