Dashuria për “flamurin me plus” – Mbi 117 mijë kosovarë me qëndrim në Zvicër gjatë këtij viti, vetëm 13 u pajisën me vizë “D” të punës

Qytetarët e Kosovës, për shkak të shumë arsyeve e njëra prej tyre që është dhe më e zakonshmja është gjendja socio- ekonomike, zgjedhin të largohen nga vendi. Vendet e BE-së dhe ato jashtë saj, janë vendet e para që kosovarët i kanë në listën e vendeve të preferuara për të jetuar, e njëra ndër to…

Lajme

02/01/2026 15:50

Qytetarët e Kosovës, për shkak të shumë arsyeve e njëra prej tyre që është dhe më e zakonshmja është gjendja socio- ekonomike, zgjedhin të largohen nga vendi. Vendet e BE-së dhe ato jashtë saj, janë vendet e para që kosovarët i kanë në listën e vendeve të preferuara për të jetuar, e njëra ndër to ishte dhe mbetet Zvicra.

Zvicra si një superfuqi ekonomike dhe një vend tejet i sigurt ka bërë që kosovarët ta duan e vlerësojnë përgjatë gjithë historisë.

Mundësitë që kosovarët të shkojnë në Zvicër për jetë, janë disa, e një ndër më e zakonshmja është viza “D” për arsye profesionale.

Por çka është viza D?

“Ambasada e Zvicrës lëshon vizë të tipit D vetëm pasi autoritetet kantonale të migracionit të kenë vendosur nëse do ta autorizojnë një leje pune. Aplikimi dorëzohet përmes punëdhënësit të ardhshëm drejtpërdrejt në Zvicër. Në rast të një përgjigjeje pozitive, zyra e migracionit lëshon një vendim autorizues me udhëzime për ambasadën lidhur me mënyrën e lëshimit të vizës D për hyrje në Zvicër. Pasi personi të mbërrijë në Zvicër, ai/ajo paraqitet në zyrën përkatëse kantonale të migracionit për të marrë lejen e punës”, kanë thënë nga Ambasada e Zvicrës për lajmi.net.

E me viza D me qëllim punësimin, 13 qytetarë të Kosovës janë pajisur nga janari deri në nëntor të 2025-ës.

Ndër vite, pra që nga viti 2021, e deri tani, 2025-ta është viti me më së paku viza D të lëshuara nga shteti zviceran.

“Kjo ambasadë ka lëshuar numrin vijues të vizave D për arsye pune:
në vitin 2024: 32;
në vitin 2023: 52;
në vitin 2022: 74;
në vitin 2021: 52″, kanë thënë nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë për lajmi.net.

Përveç vizave “D”, Ambasada e Zvicrës në Kosovë, lëshon për qytetarët e Kosovës edhe viza pune, e që gjatë këtij viti janë lëshuar plotë 75 sosh gjithsej.

Ndër vite, pra në vitin 2021, janë lëshuar 81 viza pune, në 2022 janë lëshuar 120 sosh, më 2023-të 127 viza ndërsa në vitin 2024, 81 viza pune.

E se sa vonohet një vizë pune për një qytetar të Kosovës, nga Ambasada Zvicerane ka thënë se kjo nuk dallon për të gjitha shtetet e treta.

“Nuk ka dallim në kohën e përpunimit sipas kombësisë së punëtorit për të gjitha shtetet e treta (jo-Schengen). Ekziston vetëm një procedurë më e shpejtë për shtetet e BE-së dhe EFTA-s në bazë të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë të Personave (AFMP)”, kanë thënë nga Ambasada Zvicerane.

Përmes kësaj tabele mund të shihni se sa vonohet zakonisht një vizë pune për t’iu lëshuar aplikantëve:

Për çfarë lloji të vizës “D” kishte më shumë kërkesa gjatë vitit 2025?

Nga Ambasada e Zvicrës kanë thënë se më së shumti leje qëndrimi kërkohen për bashkim familjar, por edhe për arsye të tjera.

“Shumica e aplikantëve kërkojnë leje qëndrimi për arsye të bashkimit familjar, kryesisht pas martesës, por jo vetëm. Kohët e fundit ka pasur rritje të interesimit për leje pune; megjithatë, statistikat tona tregojnë një numër më të vogël të vizave D për punë të lëshuara nga Ambasada jonë në Prishtinë dhe një numër relativisht të qëndrueshëm (afërsisht 80) të lejeve të punës të lëshuara për qytetarët e Kosovës në të gjithë Zvicrën – përveç rritjeve të moderuara në vitet 2022–2023 pas COVID-it. Interesimi shtesë dhe pyetjet e përgjithshme për leje pune ka të ngjarë të lidhen me lajmet e rreme në rrjetet sociale për gjoja 85,000 oferta të reja pune në Zvicër, që nuk janë të vërteta. Kuota për lejet e punës për shtetasit e vendeve të treta (jo-Schengen) për vitin 2026 mbetet 8,500 në vit, pa ndryshim krahasuar me vitin 2025″, kanë thënë nga kjo Ambasadë.

Gjatë vitit 2025, qytetarët e Kosovës e patën Zvicrën destinacion edhe për qëllime të tjera. Saktësisht më 31 tetor të këtij viti, 80 qytetarë të Kosovës ishin në Zvicër si jo-permanentë me punësim. Nga këta 80 persona, 7 ishin gra dhe 73 burra. 10 prej tyre kanë qëndruar mbi 12 muaj, 4 ishin ofrues shërbimesh, 64 kanë qëndruar deri në 4 muaj dhe 2 ishin muzikantë.

Numri i qytetarëve të Kosovës që kanë qëndruar me viza të përkohshme në Zvicër më datë 31 tetor 2025:

E në po të njëjtën ditë, më 31 tetor 2025, saktësisht në Zvicër ndodheshin 117 mijë e 22 qytetarë të Kosovës.

Nga këta, 11 mijë e 508 persona ishin rezidentë permanentë, 38 me qëndrime afatshkurtra për më pak se 12 muaj, 24 mijë e 783 ishin me leje qëndrimi B, 92 mijë e 687 me leje qëndrimi C, dhe 114 rezidentë jo permanentë.

Qytetarët e Kosovës, që nga 1 janari i 2025-ës e kanë një lehtësim më të madh. Vizat janë liberalizuar, dhe ata nuk kanë nevojë të aplikojnë disa muaj përpara për një vizitë në një shtet në zonën Schengen për 90 ditë qëndrim.

E pas liberalizimit, Zvicra nuk ka bërë ndonjë ndryshim për aplikim për viza të tjera.

“I vetmi ndryshim është se qytetarët e Kosovës nuk kanë më nevojë për vizë Schengen për të udhëtuar në Zvicër me qëllim kërkimi të një mundësie pune, për aq kohë sa qëndrimi nuk tejkalon 90 ditë brenda 180 ditëve. Vëmendje: çdo aktivitet pune kërkon vizë që nga dita e parë e punës dhe autorizim pune që nga dita e tetë e punës”, kanë thënë nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë.

Në tërësi, shifrat zyrtare të autoriteteve zvicerane dëshmojnë se, pavarësisht perceptimit publik për një hapje të gjerë të tregut të punës, migrimi për punë nga Kosova drejt Zvicrës mbetet i kufizuar, selektiv dhe i kontrolluar përmes kuotave strikte dhe vendimmarrjes kantonale. Rritja e interesimit dhe e kërkesave për informim nuk është shoqëruar me rritje reale të lejeve të punës, çka tregon një mospërputhje të qartë mes narrativave që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe realitetit institucional. Kjo nënvizon nevojën për informim të saktë publik dhe për shmangien e keqinformimit që krijon pritje të rreme dhe nxit vendime të gabuara migratore. /Lajmi.net/