Drejtori i QKMF-së: Rritje e dukshme e rasteve me viroza dhe grip sezonal në dy–tre javët e fundit

Në javët e fundit, është shtuar dukshëm numri i të prekurve nga viruset sezaonale. Numri i atyre që po kërkojnë trajtim mjekësorë është në rritje të vazhdueshme bazuar nga të dhënat  që dalin nga Qendrat e Mjekësisë Familjare. Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Valdet Hashani, ka bërë të ditur se  fluksi…

Lajme

18/12/2025 09:06

Në javët e fundit, është shtuar dukshëm numri i të prekurve nga viruset sezaonale.

Numri i atyre që po kërkojnë trajtim mjekësorë është në rritje të vazhdueshme bazuar nga të dhënat  që dalin nga Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Valdet Hashani, ka bërë të ditur se  fluksi i pacientëve është rritur veçanërisht ditët e fundit dhe gjatë fundjavës, duke u reflektuar në të gjitha njësitë shëndetësore.

‘’Gjendja aktuale në kryeqytet për sa i përket numrit të pacientëve me viroza është rritur këto 2-3 javët e fundit, por në veçanti kemi një fluks e  rritje të pacientëve me simptoma të një gripit sezonal sidomos vikendin e kaluar dhe sot’’, tha Hashani për Front Online.

Sipas Drejtori të QKMF-së Valdet Hashanit pacientët po paraqiten me një gamë të gjerë simptomash, përfshirë infeksione të traktit të sipërm respirator, dhimbje të grykës, temperaturë dhe ethe, si dhe shqetësime të sistemit gastro-intestinal. Simptomatologjia është e ndryshme në varësi të moshës dhe gjendjes shëndetësore të pacientëve, duke përfshirë kollë, teshtitje, dhimbje muskulore, marramendje, por edhe raste me vjellje dhe bark qitje.

‘’ Kjo edhe si dëshmi se në të gjitha qendrat kemi rritje të numrit të pacientëve, qoftë edhe për simptome të infeksioneve të traktit të sipërm respirator, grykës, sistemit gastro-intestinal, por edhe pacientë me vetëm temperature dhe ethe. Simptomatologjia është e ndryshme te pacientët dhe grup moshat. Kemi pacientë me simptoma të kollës, teshtitjes, etheve, temperaturës, dhimbjeve muskulore, marramendjes, por edhe me vjellje dhe bark qitje’’, deklaroi Hashani.

Drejtori i Qendrës Familjare në Prishtinë tha se në rastet kur vlerësohet e nevojshme, po kryhen edhe analiza laboratorike në pothuajse të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë dhe zonat rurale. Të dhënat tregojnë se në shumicën e rasteve bëhet fjalë për infeksione virale, por ka edhe pacientë që, për shkak të vonesës në paraqitje për trajtim, zhvillojnë infeksione bakteriale, çka kërkon trajtim me antibiotik.

Terapia përshkruhet vetëm nga mjekët, bazuar në vlerësimin profesional dhe ekzaminimet shtesë, ndërsa pacientët mbeten nën monitorim të vazhdueshëm.

‘’ Në rastet kur ka nevojë bëjmë edhe analizat laboratorike, pothuajse në të gjitha qendrat në Kryeqytet dhe Fshatra ku i kemi QMF-të. Në shumicën e rasteve kemi të dhëna për infeksione virale, por ka gjithashtu pacientë të cilët për shkak të zgjatjes së kohës për trajtim kanë edhe infeksione bakteriale, ku nevojitet trajtimi me antibiotik. Gjithsesi të gjithë pacientët tanë janë nën monitorim të stafit tonë profesional dhe bazuar në simptomtologji por edhe ekzaminime shtesë e përshkruajnë terapinë. Kemi pacientë qe ende edhe pa nevojë kërkojnë për t’ju përshkruar antibiotik, por kjo është nën kompetencën e mjekëve tanë’’, deklaroi Hashani për FrontOnline.

Drejtori tha se qendrat shëndetësore po raportojnë rregullisht çdo rast në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe, pavarësisht kapaciteteve të kufizuara për shkak të mungesës së stafit, shërbimet po ofrohen pa ndërprerje.

‘’Ashtu si e ceka më lartë, këto ditët e fundit fluksi ka filluar të rritet dhe kemi raportime të rregullta të mjekëve tanë për çdo rast në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Për çdo gjendje të shpallur nga IKSHPK jemi të gatshëm dhe po punojmë me kapacitete të limituara edhe për shkak të numrit të vogël të stafit, me shpresa se do e rrisim numrin së shpejti’’, u shpreh Hashani.