Arrestime dhe sekuestrime milionëshe në Prizren për dëmtim të mjedisit
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, më 4 qershor 2025 kishte zhvilluar një aksion të gjerë dhe të suksesshëm kundër degradimit të mjedisit, si pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për mbrojtjen e natyrës dhe pasurive mjedisore. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) persona, ndërsa janë sekuestruar dyzet (40) mjete…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, më 4 qershor 2025 kishte zhvilluar një aksion të gjerë dhe të suksesshëm kundër degradimit të mjedisit, si pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për mbrojtjen e natyrës dhe pasurive mjedisore.
Gjatë këtij aksioni janë arrestuar gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) persona, ndërsa janë sekuestruar dyzet (40) mjete të dyshuara për kryerjen e veprave penale, përfshirë dhjetë (10) kamionë, pesëmbëdhjetë (15) eskavatorë dhe pesëmbëdhjetë (15) makineri për separim, si dhe prova të tjera materiale. Vlera totale e mjeteve të sekuestruara është vlerësuar rreth dy milionë euro.
Megjithatë, vetëm disa muaj pas këtij aksioni, më 17 dhjetor 2025, autoritetet kanë parandaluar një tjetër tentativë për dëmtimin e mjedisit. Në orët e vona të natës, tre persona janë arrestuar në flagrancë, pasi dyshohet se kanë tentuar të eksploatojnë në mënyrë të paligjshme zhavorr në afërsi të lumit “Drini i Bardhë”.
Në lidhje me këtë rast janë sekuestruar një (1) kamion dhe një (1) eskavator. Të dyshuarit ndodhen në ndalim prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 338, si dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se do të vazhdojë të jetë vigjilente dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme që cenojnë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.
Njëkohësisht, Prokuroria u ka bërë apel qytetarëve për angazhim të përbashkët në mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së resurseve natyrore dhe respektimit të ligjit për një të ardhme të qëndrueshme. /Lajmi.net/

![]()