IHMK demanton lajmet për temperatura ekstreme –20°C në fundvit

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka reaguar publikisht ndaj lajmeve të shpërndara në media dhe portale se fundviti do të shoqërohet me temperatura ekstreme deri në –20°C dhe reshje të mëdha bore, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe shkaktare të konfuzionit te qytetarët. IHMK thekson se është institucioni i vetëm i autorizuar me…

Lajme

17/12/2025 10:46

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka reaguar publikisht ndaj lajmeve të shpërndara në media dhe portale se fundviti do të shoqërohet me temperatura ekstreme deri në –20°C dhe reshje të mëdha bore, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe shkaktare të konfuzionit te qytetarët.

IHMK thekson se është institucioni i vetëm i autorizuar me ligj për parashikimin dhe paralajmërimin e motit në Kosovë, transmeton lajmi.net.

“Parashikimi zyrtar i motit dhe paralajmërimi i hershëm i fatkeqësive të mundshme natyrore… janë ekskluzivitet i IHMK-së”, thuhet në njoftim, duke iu referuar Ligjit Nr. 06/L-035.

Sipas institutit, “çdo subjekt apo individ tjetër që bën njoftime apo paralajmërime për motin është jashtëligjor, jo profesional dhe shkencërisht i pasaktë”.

IHMK sqaron se parashikimet më të besueshme janë ato afatshkurtra (1–3 ditë) me saktësi 80–90%, ndërsa për periudha më të gjata saktësia bie ndjeshëm dhe jepen vetëm tendenca.

“Për shkak se atmosfera është dinamike, parashikimi i besueshëm i motit është i kufizuar në rreth 7–10 ditë”, thekson njoftimi.

Instituti u bën thirrje qytetarëve të informohen vetëm nga burimet zyrtare të IHMK-së./lajmi.net/