Doktorë, infermierë e teknikë u pranuan në institucione shëndetësorë në Fushë-Kosovë, por konkursi u anulua – Prebreza tregon se pse i la “pa punë” gjithë këta persona
Dhjetëra profesionistë shëndetësorë, një jurist dhe një administrator i sistemit informativ shëndetësor në Fushë Kosovë, iu gëzuan vendimit që u mor me 1 dhjetor të këtij viti, por gëzimi nuk iu zgjati shumë. Ata përmes një vendimi që u mor nga Komuna e Fushë Kosovës, zunë nga një vend pune në sektorin e shëndetësisë në…
Lajme
Dhjetëra profesionistë shëndetësorë, një jurist dhe një administrator i sistemit informativ shëndetësor në Fushë Kosovë, iu gëzuan vendimit që u mor me 1 dhjetor të këtij viti, por gëzimi nuk iu zgjati shumë.
Ata përmes një vendimi që u mor nga Komuna e Fushë Kosovës, zunë nga një vend pune në sektorin e shëndetësisë në këtë Komunë, por me t’u ndërruar pushteti, ky vendim u anulua.
Në këtë vendim të marrë nga stafi i Burim Berishës, u pranuan në punë gjithsej 6 mjekë të përgjithshëm, 1 mjek stomatolog, 18 infermierë, 4 teknik/e të stomatologjisë, 4 teknik/e laborant/e, 1 teknik/e të farmacisë, 1 administrator i sistemit informativ shëndetësor dhe 1 jurist, në konkursin që ishte hapur më 8 gusht të këtij viti.

Por, më 4 dhjetor, pozitën e kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës e mori Valon Prebreza, i cili e fitoi garën në balotazhin e zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 9 nëntor- e ku kundërkandidat e pati Besnik Osmanin e LDK-së.
Por pak rëndësi ka kjo.
Pak ditë pasi e mori këtë detyrë, Prebreza u përkujdes që ta anuloj këtë vendim ku figuronin tanimë të pranuar në punë disa personave.
Në vendimin e marrë, thuhet se Vendimi nr.68 i datës 25 korrik të këtij viti, për aprovimin e Kërkesës me nr 627 të datës 17.06 2025, nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për shpalljen e vendeve të reja të punës dhe ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 367 mijë e 144 euro e 80 cent për vitin 2026 është dërguar për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe deri më datën 12 dhjetor 2025, nuk kanë pranuar përgjigje për shqyrtimin e ligjshmërisë brenda afatit prej 330 ditëve.
Në vendim thuhet, se nuk është në përgjegjësi të Kuvendit të Komunës shpallja e vendeve të reja të punës dhe lejimi i këtyre mjeteve financiare për vitin 2026 për punësimin e punëtorëve shëndetësorë, por detyrë dhe përgjegjësi e Kuvendit të Komunës është miratimi i projeksioneve buxhetore për secilën kategori të shpenzimeve publike.
Gjithashtu aty thuhet se konkursi me nr. 849 i datës 8 gusht 2025, për shpalljen e vendeve të punës në shëndetësi është në kundërshtim me pikën 1 dhe 2 të vendimit me nr.68 të datës 25 korrik, sepse sipas këtij vendimi, Vendimi i Kuvendit parasheh kryerjen e procedurave në vitin 2026 dhe jo në vitin 2025, siç ishte shpallur në konkurs.
Prebreza e arsyeton vendimin e tij, për të anuluar këtë konkurs edhe pasi sipas tij, pozitat e shpallura nuk janë të aprovuara zyrtarisht në buxhet për vitin 2025.
“Po ashtu nga verifikimi i dokumentacionit në lidhje me këtë çështje verifikohet se nuk është zbatuar edhe neni 80, paragrafi 4 i Ligjit për Zyrtarët Publik me Nr. 08/L-197 dhe dispozitat e Rregullores 30/2024 për Procedurën e Pranimit të Nëpunësve të Shërbimit Publik në Sektorin e Shëndetësisë, sepse kompetencë për shpalljen e konkurseve, organizimin e rekrutimeve dhe procedurave tjera për çdo pozitë në shërbimin publik – sektorin e shëndetësisë është Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore brenda institucionit. Andaj Kryetari i Komunës duke u bazuar në atë që u cek më lartë vendos si në dispozitiv të këtij Vendimi”, thuhet mes arsyeve tjera në këtë vendim.


Në lidhje me anulimin e këtij vendimi, pati edhe ankesa nga vetë aplikuesit. Në kushte anonimiteti, ata kanë thënë se Prebreza përmes këtij vendimi i ka lënë pa vende të punës, doktorët, infermierët e personat e tjerë që ishin pranuar përmes testimit, intervistës e shkollimeve që i kanë kryer për t’i përmbushur gjitha kërkesat që parashihen në konkursin që tanimë u anulua tërësisht.
E për këtë anulim të menjëhershëm të Prebrezës me të ardhur në pushtet, lajmi.net e ka pyetur edhe vetë të parin e Komunës së Fushë Kosovës.
Me këtë rast, Valon Prebreza deklaroi se e respektoi kërkesën e Zyrës Ligjore.
“Zyra Ligjore na ka jep rekomandimin që duhet me u anulu dhe unë e kam anulu. E kam respektuar kërkesën e tyre. Janë pranuar njerëzit pa u përmbush fare afati i ankesave, në kohë fushate plus nuk ka qenë e buxhetume hiç”, ka thënë Prebreza shkurt për lajmi.net.
Prebreza me të marrë detyrën e tij, ka anuluar vendimin e “paraardhësit” të tij si udhëheqës i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berishës.
Personat të cilët kanë aplikuar në këtë konkurs, janë pranuar e përsëri kanë mbetur pa vend pune pas anulimit të këtij konkursi, kanë thënë për lajmi.net se e shohin këtë vendim si “hakmarrje politike”. /Lajmi.net/