PZAP lë në fuqi vendimin e KQZ-së, refuzohet certifikimi i motrës së Donika Kadaj-Bujupit si kandidate e listës së Koalicionit VAKAT
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Koalicija Vakat dhe ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e kandidates Ena Krasniqi, motrës së Donika Kadaj-Bujupit këshilltares së presidentes së Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025. Në vendim thuhet se “REFUZOHET…
Lajme
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Koalicija Vakat dhe ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e kandidates Ena Krasniqi, motrës së Donika Kadaj-Bujupit këshilltares së presidentes së Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Në vendim thuhet se “REFUZOHET si e pabazuar ankesa e subjektit politik Koalicija Vakat”, duke vlerësuar se vendimi i KQZ-së është “në harmoni të plotë me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, transmeton lajmi.net.
Sipas PZAP-së, Koalicija Vakat garon për vendet e garantuara për komunitetin boshnjak, ndërsa kandidatja “nuk ka paraqitur asnjë provë që do të dëshmonte ekzistimin e lidhjes objektive me komunitetin boshnjak”. Paneli thekson se përfaqësimi i komuniteteve joshumicë “nuk mund të jetë as formal e as fiktiv, por duhet të mbështetet në ekzistimin e një lidhjeje reale dhe të provueshme”.
PZAP vlerësoi se certifikimi i kandidates do të rrezikonte “shtrembërimin e funksionit kushtetues të vendeve të rezervuara”, ndaj refuzimi i certifikimit u cilësua si masë e ligjshme dhe proporcionale.
Vendimi është marrë më 13 dhjetor 2025./lajmi.net/