Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protestë më 12 dhjetor në Prishtinë
Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të protestojnë më 12 dhjetor, me fillim nga ora 11:00, para ndërtesës qendrore të kompanisë në Prishtinë. Lajmi është bërë i ditur nga Sindikata e Re e KEK-ut përmes një njoftimi të publikuar në Facebook. Sipas sindikatës, protesta do të jetë paqësore dhe ka për qëllim adresimin…
Lajme
Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të protestojnë më 12 dhjetor, me fillim nga ora 11:00, para ndërtesës qendrore të kompanisë në Prishtinë.
Lajmi është bërë i ditur nga Sindikata e Re e KEK-ut përmes një njoftimi të publikuar në Facebook.
Sipas sindikatës, protesta do të jetë paqësore dhe ka për qëllim adresimin e disa kërkesave urgjente, të cilat, siç thuhet, janë të domosdoshme për përmirësimin e kushteve të punës dhe dinjitetin e punëtorëve.
Ndër kërkesat kryesore përfshihen: Rritja e pagave në përputhje me tregun e punës, inflacionin dhe natyrën e rrezikshme të punës në sektor, Nivelizimi i pagave të sigurimit fizik me punëtorët e tjerë të KEK-ut, me zbatim nga 1 janari 2026. Zbatimi i pagës së 13-të për punëtorët e KEK-ut, në përputhje me premtimet e dhëna për sektorin publik.
“Sindikata e Re e KEK-ut ka miratuar vendimin për organizimin e protestës me qëllim adresimin e kërkesave të ligjshme, të arsyeshme dhe të domosdoshme për dinjitetin e punëtorëve. Punëtorët e KEK-ut kontribuojnë në një sektor strategjik dhe nuk mund të trajtohen me standarde më të ulëta se pjesa tjetër”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e sindikatës.