“Shumicën e kandidatëve as nuk i njoh, për mos-kandidim të Veliut flas pas zgjedhjeve” – Isa Mustafa deklarohet për listën me deputetë të LDK-së

Zgjedhjet e 28 dhjetorit po afrojnë, e në kuadër të këtyre zgjedhjeve, dje partitë politike kanë publikuar listat me kandidatë për deputetë, në mesin e tyre edhe LDK. Lista e LDK-së ka nxitur shumë reagime, pasi aty nuk përfshihet Agim Veliu, ish kryetari i Podujevës dhe një nga kontribuuesit shumëvjeçar të partisë, shkruan lajmi.net. Ai…

Lajme

08/12/2025 16:15

Zgjedhjet e 28 dhjetorit po afrojnë, e në kuadër të këtyre zgjedhjeve, dje partitë politike kanë publikuar listat me kandidatë për deputetë, në mesin e tyre edhe LDK.

Lista e LDK-së ka nxitur shumë reagime, pasi aty nuk përfshihet Agim Veliu, ish kryetari i Podujevës dhe një nga kontribuuesit shumëvjeçar të partisë, shkruan lajmi.net.

Ai nuk ishte pjesë e listës me kandidatë për deputetë as në zgjedhjet e 9 shkurtit, e nuk është as për këto zgjedhje.

Ish kryeministri i Kosovës dhe ish kryetari i LDK-së, Isa Mustafa për lajmi.net nuk foli shumë për këtë çështje.

Ai tha se mund të flet për këtë vetëm pas datës 28 dhjetor.

“Mund të flas për çështjen e Agimit pas dt 28 dhjetor, tani përveç një opinioni të hidhur, nuk kontribuoj asgjë”, ka shtuar Mustafa për lajmi.net.

Në lidhje me përbërjen e listave të partive politike, ai ka thënë se shumicën e kandidatëve nuk i njeh.

“Listat për deputet nuk mund t’i komentoj, sepse një numër të madh të kandidatëve nuk i njoh. Sigurisht se i njohin ose do duhej t’i njohin subjektet që i kanë propozuar”, ka shtuar Mustafa.

Këto lista dhe këto zgjedhje që po vinë, Mustafa po i pret që të sjellin një ndryshim për situatën e shkaktuar në vend. Ai ka thënë se qytetarët me votën e tyre mund të stabilizojnë institucionet.

“Ndryshime në rezultate, pas gati një vit bllokade, do duhej të ketë. Ndryshimet i shoh si reflektim të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote, për ta stabilizuar vendin dhe për ta vënë në binarë normalë të zhvillimit ekonomik, arsimor, shëndetësor dhe integrimit euroatlantik, në këtë kohë kur ka ndryshime globale shumë dinamike”, ka shtuar Mustafa.

A i ka folur në lidhje me bllokadën që ka ndodhur për më shumë se 9 muaj në Kosovë, e cila ka thënë se pret të zgjidhet së shpejti.

Kosova pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk ka pas institucione funksionale. Fillimisht janë paraqitur probleme për konstituimin e Kuvendit, i cili arriti të konstituohej pas më shumë se 70 seancash. Përveç Kuvendit, as Qeveria nuk u arrit të formohet as pas dy tentimeve. Albin Kurti e pas tij Glauk Konjufca u mandatuan nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani por nuk i mblodhën dot 61 vota.

Pas kësaj, Osmani mori vendim ta shpërbëj Kuvendin, duke e caktuar më pas 28 dhjetorin si datë për t’u mbajtur zgjedhjet.

Deri tani, partitë politike janë certifikuar, janë dorëzuar në KQZ listat me kandidatë për deputetë, ndërsa sot edhe është miratuar dizajni i fletëvotimit.

Përgatitjet për zgjedhjet e 28 dhjetorit po shkojnë drejt fundit, duke ia lënë shtetin “në dorë” të qytetarëve, të vendosin pas 20 ditësh se kush duan t’i udhëheq ata. /Lajmi.net/