Federica Mogherini jep dorëheqje pas nisjes së hetimit nga Prokuroria Evropiane
Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian dhe rektorja e Kolegjit Evropian, Federica Mogherini, ka dhënë dorëheqjen nga funksioni akademik pas nisjes së një hetimi nga Zyra e Prokurorit Evropian (EPPO). Pas mbledhjes së Bordit Ekzekutiv të Kolegjit, Mogherini njoftoi largimin, duke theksuar se vendimi është marrë për të ruajtur integritetin profesional, shkruan politico, përcjellë lajmi.net…
Bota
Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian dhe rektorja e Kolegjit Evropian, Federica Mogherini, ka dhënë dorëheqjen nga funksioni akademik pas nisjes së një hetimi nga Zyra e Prokurorit Evropian (EPPO).
Pas mbledhjes së Bordit Ekzekutiv të Kolegjit, Mogherini njoftoi largimin, duke theksuar se vendimi është marrë për të ruajtur integritetin profesional, shkruan politico, përcjellë lajmi.net
“Me përgjegjësinë dhe seriozitetin që kam ushtruar gjithmonë detyrat e mia, sot kam vendosur të tërhiqem nga pozita e rektores”, u shpreh ajo.
Dorëheqja e saj ndodh vetëm një ditë pasi një tjetër zyrtar i rëndësishëm i BE-së, Stefano Sannino, paralajmëroi se do të largohet në fund të dhjetorit – edhe ai nën hetim. Sannino është drejtues i Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe rajonin e Gjirit.
Hetimet lidhen me një kontratë njëvjeçare të përfituar nga Kolegji Evropian për krijimin e një akademie të re diplomatike. Sipas raportimit të Politico, prokuroria dyshon se midis viteve 2021–2022 mund të ketë pasur bashkëpunim të parregullt mes Kolegjit dhe Shërbimit të Jashtëm të BE-së, duke përfshirë informim paraprak mbi tenderin që teorikisht duhej të ishte i hapur për universitete në gjithë kontinentin.
Mogherini mbetet e pafajshme, pasi procesi hetimor është ende në zhvillim./Lajmi.net/