Nuk u bë deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, Adnan Rrustemi i Vetëvendosjes pritet të kandidohet përsëri

Zgjedhjet e 28 dhjetorit po afrojnë, e gjithashtu po përfundon edhe afati për partitë politike që t’i dërgojnë listat me kandidatë për deputetë në KQZ. Deri tani, partitë politike kanë zyrtarizuar vetëm disa emra ndërsa ende nuk janë bërë publike listat e plota të cilat kanë afat të publikohen deri më 7 dhjetor, shkruan lajmi.net.…

Lajme

03/12/2025 11:17

Zgjedhjet e 28 dhjetorit po afrojnë, e gjithashtu po përfundon edhe afati për partitë politike që t’i dërgojnë listat me kandidatë për deputetë në KQZ.

Deri tani, partitë politike kanë zyrtarizuar vetëm disa emra ndërsa ende nuk janë bërë publike listat e plota të cilat kanë afat të publikohen deri më 7 dhjetor, shkruan lajmi.net.

Listat me kandidatë për deputetë nuk duket se do të ndryshojnë shumë nga ato të 9 shkurtit, ku përsëri do të garojnë disa kandidatë për deputetë që nuk kanë zënë një ulëse të Kuvendit të Kosovës më 9 shkurt, e disa nga ata që ishin veçse deputet “shkurtimisht” të Kuvendit të Kosovës.

Një nga ta është Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili siç ka mësuar lajmi.net do të jetë përsëri kandidat për deputet.

Ai në zgjedhjet e vitit 2021 ka fituar një ulëse duke qenë deputet i Kuvendit të Kosovës për katër vite, ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit ka marrë 16 mijë e 26 vota, të cilat nuk i mjaftuan që të ushtroj detyrën e ligjvënësit në këto 9 muaj.

Rrustemi nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë për lajmi.net, pasi që i njëjti ka thënë se nuk ka vendosur ende dhe duhet pritur deri më 7 dhjetor kur edhe do të publikohen listat zyrtare.

Lëvizja Vetëvendosje, do të garoj në këto zgjedhje si koalicion i përbashkët me Guxo-në, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, koalicion që është zyrtarizuar më 30 nëntor pas aplikimit për certifikim në KQZ.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit shumë prej partive politike pritet që qytetarëve t’ua paraqesin premtimet e njëjta, kandidatët e njëjtë si dhe reformat e njëjta zgjedhore.

Në zgjedhjet e shpeshta në vendin tonë, shumë prej qytetarëve zgjodhën të mos dalin fare për të votuar, derisa nuk dihet se si do të shkojë puna në zgjedhjet nacionale të këtij muaji./Lajmi.net/