Kusari-Lila e quan proces demokratik votimin jashtë përfaqësive diplomatike, merr shembuj të shteteve të BE-së që kanë “modele të ngjashme”
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka shkruar në lidhje me vendimin e PZAP-së për të rrëzuar vendimin e KQZ-së që mërgata të mund të votoj edhe jashtë përfaqësive diplomatike. Ajo ka thënë se votimi i diasporës jashtë ambasadave dhe konsullatave praktikohet edhe në vendet e BE-së. Kusari-Lila ka thënë se çdo vendim që kufizon të…
Lajme
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka shkruar në lidhje me vendimin e PZAP-së për të rrëzuar vendimin e KQZ-së që mërgata të mund të votoj edhe jashtë përfaqësive diplomatike.
Ajo ka thënë se votimi i diasporës jashtë ambasadave dhe konsullatave praktikohet edhe në vendet e BE-së.
Kusari-Lila ka thënë se çdo vendim që kufizon të drejtën e mërgatës për të marrë pjesë në proces zgjedhor, është humbje e jashtëzakonshme për demokracinë.
Ajo i ka quajtur shqetësuese dhe paranoike deklaratat e zyrtarëve të LDK-së që kanë kundërshtuar mundësinë e votimit në qendrat jashtë përfaqësive diplomatike.
“Për të qenë të qartë, praktika evropiane dhe ndërkombëtare e mbështet fuqishëm këtë formë votimi:
- Turqia organizon qendra votimi jashtë ambasadave, veçanërisht në vendet ku jetojnë komunitete të mëdha turke, duke përdorur shkolla, qendra komunitare dhe salla sportive.
- Romania dhe Kroacia hapin dhjetëra qendra votimi për diasporën në vende të ndryshme, duke mundësuar votim të lehtë dhe të sigurt për qytetarët jashtë vendit.
- Moldavia hap polling‑stations në 45 vende jashtë vendit, në salla komunitare dhe objekte të tjera, duke garantuar pjesëmarrje të madhe të diasporës.
- Edhe vendet e BE-së me emigracion masiv, si Franca, Italia dhe Spanja, kanë modele të ngjashme, duke bërë të mundur që diaspora të marrë pjesë pa u detyruar të udhëtojë në qytetet ku gjenden ambasadat dhe konsullatat”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se vota e diasporës nuk është opsionale, por pjesë thelbësore e legjitimitetit demokratik të Kosovës.
“Të mohosh këtë mundësi është të mohosh pjesëmarrjen e komunitetit, i cili vazhdon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe social të vendit tonë. Në vend që të gjitha subjektet dhe institucionet të angazhohen për të siguruar votim të lirë, të sigurt dhe të qasshëm për çdo qytetar të Republikës jashtë vendit, ata dëgjojnë britma dhe frikë nga ata që vetë e manipuluan procesin e votimit dhe tani frikësohen nga ballafaqimi me vullnetin e qytetarëve tanë jashtë vendit. Votimi në qendrat jashtë përfaqësive diplomatike është jo vetëm një standard demokratik, por edhe një shans për Kosovën të tregojë se respekton të drejtën e çdo qytetari për të vendosur mbi të ardhmen e vendit të vet”, ka shkruar Kusari-Lila. /Lajmi.net/
Postimi i saj i plotë: