Në zgjedhjet e kaluara bashkë morën 7.06%, tani pa aleanca, por me ambicie – AAK e Nisma të vetme në garë, synojnë ta kalojnë pragun

Zgjedhjet e 28 dhjetorit po afrojnë dhe tani ka mbetur më pak se një muaj që qytetarët t’i përgjigjen me votë të gjithë atyre që lan Kosovën në një rrugë pa dalje për 9 muaj. Që nga 9 shkurti, kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare, partitë politike me inate për njëri tjetrin e pa…

Lajme

01/12/2025 13:31

Zgjedhjet e 28 dhjetorit po afrojnë dhe tani ka mbetur më pak se një muaj që qytetarët t’i përgjigjen me votë të gjithë atyre që lan Kosovën në një rrugë pa dalje për 9 muaj. Që nga 9 shkurti, kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare, partitë politike me inate për njëri tjetrin e pa gjuhë të përbashkët e lan Kosovën pa institucione.

Edhe 9 muaj pas, këto parti politike nuk arritën të gjejnë një koncensus për të formuar Qeverinë e Kosovës, dhe për të zhbllokuar më pas Ministritë në vend të cilat tash e disa muaj po udhëhiqen me ushtrues detyre.

Kjo bllokadë i ka shkaktuar Kosovës probleme të shumta, duke filluar që nga buxheti e deri te politika e jashtme dhe raportet me aleatët.

Në këto ditë kur është shpallur dita e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucioni i cili po punon pa ndërprerë për të realizuar afatet kohore për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 28 dhjetor në Kosovë.

Dje, ka përfunduar afati për regjistrimin e partive politike që do të garojnë në këto zgjedhje si dhe koalicioneve në rast se ato kanë formuar me njëra tjetrën.

Sipas informacioneve që KQZ ka dhënë, për zgjedhjet e 28 dhjetorit, në fletëvotim do të jenë gjithsej 23 subjekte politike, nga to vetëm tri koalicione, 17 parti politike, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Koalicion kanë arritur të bëjnë:

  1. Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”;
  2. Koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV); dhe
  3. Koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga 4 partitë politike: Lëvizja VETËVENDOSJE!, GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).

Ndonëse në zgjedhjet e 9 shkurtit, AAK dhe Nisma, të dyja bashkë në koalicion kanë arritur të marrin vetëm 7.06%, ato në këto zgjedhje garojnë vetëm.

Ndarja mes tyre ka ndodhur pothuajse menjëherë pas zgjedhjeve, ku Nisma filloi bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi kreu i Nismas Fatmir Limaj kërkoi dhe shpresoi të marrë pozitën e Kryetarit të Kuvendit, ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj mohonte në çdo formë një koalicion apo bashkëpunim me VV-në.

Ndonëse raportet mes tyre u prishën, Nisma shpresoi gjatë dhe bëri biseda të gjata me LDK-në për të formuar një koalicion mes tyre, por kjo nuk u bë.

Nga asnjëra parti nuk janë deklaruar se pse nuk arritën të realizojnë një koalicion, ndërsa Nisma duket të ketë pritur deri në minutat e fundit se kjo mund të ndodhë.

Ajo është regjistruar dhe ka përdorur afatin për regjistrim në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhje, por tek pas orës 23:00 kur edhe po përfundonte afati..

Nisma dhe AAK ndonëse nuk morën rezultat të mirë në zgjedhjet e 9 shkurtit pasi kishin bashkuar forcat, ata shpresojnë se në këto zgjedhje duke garuar vetëm, do të arrijnë të kalojnë pragun prej 5% që nevojitet për qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Nismës, ditë më parë ishte shprehur se “aty ku është Nisma, do të jetë Kryeministri i ardhshëm”, duke qenë optimist për rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

E këtu duhet përkujtuar edhe një ndryshim që kishte ndodhur në çështjen e zhvillimit të zgjedhjeve dhe rezultateve, se votat/përqindja e partive që nuk e kalojnë pragun as nuk shpërndahen e as nuk i shtohen ndonjë partie tjetër – ato thjesht nuk llogariten gjatë ndarjes së mandateve.

Pas regjistrimit për të marrë pjesë në zgjedhje, partitë politike brenda një jave do të duhet të dorëzojnë listat me kandidatët për deputetë, ndërsa disa parti vetëm se i kanë bërë të ditur disa nga këta kandidatë por që ende nuk dihen të gjitha.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit, pritet të sjellin zgjidhje për bllokadën që është shkaktuar në Kosovë, zgjidhje kjo që sërish s’do jetë afatgjate./Lajmi.net/