Triumf në Ditën e Flamurit: Distria Krasniqi fiton medaljen e bronztë në Abu Dhabi
Distria Krasniqi ka realizuar një paraqitje të jashtëzakonshme në Abu Dhabi Grand Slam 2025, duke i siguruar Kosovës një medalje bronzi në një datë të veçantë për shqiptarët – Ditën e Flamurit. Xhudistja kosovare e nisi garën pa kundërshtare në xhiron e parë, ndërsa në raundin e dytë mposhti me Yuko rusen Karina Efimova. Më…
Sport
Distria Krasniqi ka realizuar një paraqitje të jashtëzakonshme në Abu Dhabi Grand Slam 2025, duke i siguruar Kosovës një medalje bronzi në një datë të veçantë për shqiptarët – Ditën e Flamurit.
Xhudistja kosovare e nisi garën pa kundërshtare në xhiron e parë, ndërsa në raundin e dytë mposhti me Yuko rusen Karina Efimova. Më pas, në çerekfinale, ajo vazhdoi formën e lartë duke triumfuar me Wazaari ndaj izraelites Gefen Primo, transmeton lajmi.net.
Përballja në gjysmëfinale i solli sfidë të fortë, ku Krasniqi u mposht me Yuko nga hungarezja Reka Pupp. Megjithatë, kjo humbje nuk e ndali kampionen olimpike që në luftën për medaljen e bronztë u rikthye fuqishëm, duke fituar bindshëm ndaj Naomi Van Krevel të Holandës me tre Yuko.
Medalja e bronztë e Distria Krasniqit jo vetëm që konfirmon edhe një herë nivelin e saj të lartë në skenën ndërkombëtare, por vjen edhe si një dhuratë e veçantë për shqiptarët në Ditën e Flamurit, duke e vazhduar traditën e suksesit të sportistes sonë të jashtëzakonshme./lajmi.net/