Punëtorët RTK-së ndërpresin grevën, falënderojnë mbështetësit dhe kërkojnë veprim urgjent për stabilizimin e transmetuesit publik
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që t’iu ndahen para nga kursime të organizatave të tjera buxhetore. SPRTK ka falënderuar të gjithë ata që i kanë mbështetur gjatë protestave dhe grevës, e veçanërisht punëtorët e RTK-së për uniteitn, vendosmërinë dhe profesionalizmin e lartë, shkruan lajmi.net. “Falënderimet tona…
Lajme
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që t’iu ndahen para nga kursime të organizatave të tjera buxhetore.
SPRTK ka falënderuar të gjithë ata që i kanë mbështetur gjatë protestave dhe grevës, e veçanërisht punëtorët e RTK-së për uniteitn, vendosmërinë dhe profesionalizmin e lartë, shkruan lajmi.net.
“Falënderimet tona shkojnë gjithashtu tek kryetari i AGK-së, z. Xhemajl Rexha, kryetari i BSPK-së, z. Atdhe Hykolli, kryetari i SBASHK-ut, z. Rrahman Jasharaj, dhe juristja e mediave, znj. Flutura Kusari, për mbështetjen e tyre profesionale dhe institucionale. Njohje të veçantë u shpreh Federatës Evropiane të Gazetarëve, OSBE-së, ambasadave dhe institucioneve të Bashkimit Evropian, si dhe mediave, gazetarëve dhe portaleve në Kosovë, Shqipëri dhe rajon, për mbështetjen dhe solidarizimin e tyre me punëtorët e RTK-së. Kontributi i tyre ka qenë vendimtar për transparencën dhe informimin publik, duke dhënë mbështetje të pakursyer për punëtorët e RTK-së dhe për të garantuar interesin publik”, thuhet në komunikatë.
Ata kanë theksuar që punëtorët e RTK-së, gjatë kësaj periudhe nuk kanë pasur komunikim adekuat nga ata që paguhen për sigurimin e stabilitetit të institucionit dhe pagesën e pagave, gjë që thonë se e ka rënduar situatën, duke krijuar pasiguri dhe shqetësim të panevojshëm.
“Pas këtyre zhvillimeve dhe veprimeve të ndërmarë nga palët përkatëse, SPERTK njofton opinionin publik, institucionet dhe punëtorët e RTK-së se greva ndërpritet si rezultat i hapave që çuan në zhbllokimin e situatës me buxhetin e RTK-së dhe krijimin e mundësisë për adresimin e çështjeve të mbetura, që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e transmetuesit publik. Ky hap siguron funksionimin normal të RTK-së dhe garantimin e të drejtës së qytetarëve për informim të paanshëm dhe të saktë”, thuhet në reagim.
Ata kanë falënderuar edhe Qeverinë dhe kryeministrinë në detyrë, për reflektimin ndaj kërkesave të Sindikatës.
“RTK vazhdon të funksionojë pa Bord, pa Drejtor të Përgjithshëm dhe me pozita kyçe të paplotësuara, përfshirë Kryeredaktorin. Kjo gjendje kërkon veprim urgjent nga legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, për kompletimin e Bordit, zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm, emërimin e Kryeredaktorit, si dhe për rritjen e buxhetit, rritjen e domosdoshme dhe të panegociueshme të pagave, miratimin e ligjit të ri dhe zgjidhjen e çështjes së pronës dhe objektit të ri të RTK-së. SPERTK mbetet e përkushtuar në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe të pavarësisë së RTK-së. Nëse gjatë janarit 2026 hasim sërish në situata të tilla, greva mund të rikthehet menjëherë dhe në çdo formë të nevojshme. Në emër të punëtorëve të RTK-së dhe të transmetuesit publik, shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme dhe përkushtimin e secilit që qëndroi pranë nesh gjatë kësaj periudhe sfiduese”, thuhet mes tjerash në reagim. /Lajmi.net/