Ambasadori Antonini: Java e kuzhinës italiane, platformë globale kulturore dhe ekonomike

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), përmes projektit HoReCa Hospitable, Resilient, Capable, të financuar nga Qeveria e Italisë përmes Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), ka nisur sot aktivitetin “Taste the Future: HoReCa & Slow Food Connections”, i cili zhvillohet në kuadër të Javës së Kuzhinës Italiane. Ngjarja synon të promovojë lidhjen ndërmjet sektorit të…

Lajme

27/11/2025 13:52

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), përmes projektit HoReCa Hospitable, Resilient, Capable, të financuar nga Qeveria e Italisë përmes Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), ka nisur sot aktivitetin “Taste the Future: HoReCa & Slow Food Connections”, i cili zhvillohet në kuadër të Javës së Kuzhinës Italiane.

Ngjarja synon të promovojë lidhjen ndërmjet sektorit të mikpritjes, gastronomisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke theksuar rolin që kreativiteti, tradita dhe arsimi profesional kanë në fuqizimin e tregut të punës dhe turizmit në Kosovë.

Duke folur në hapje të aktivitetit, ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, theksoi rëndësinë e Javës së Kuzhinës Italiane si një platformë globale kulturore dhe ekonomike.

“Këtë javë, Italia po feston Javën e Kuzhinës Italiane në botë, një festë ndërkombëtare e ushqimit, kulturës, kreativitetit dhe qëndrueshmërisë… Italia ka vendosur të investojë jo vetëm në sektorët e ushqimit dhe arteve, zhvillimit rural dhe turizmit, sepse ne shohim një potencial të qëndrueshëm këtu… Dhe kemi parë diçka shumë të rëndësishme, Kosova i ka të gjitha elementet për të ndërtuar një sektor të fortë, autentik dhe të qëndrueshëm të turizmit dhe kulinarisë. Kjo filozofi globale, që qëndron në qendër të këtij aktiviteti, nuk është vetëm një koncept kulinar, Është një model zhvillimi. Ajo na mëson se ekselenca vjen nga respektimi i tokës, vlerësimi i produkteve lokale dhe dhënia e hapësirës për kreativitet dhe identitet. Dhe pikërisht këtë mund të bëjë Kosova. Toka juaj prodhon ushqime natyrale, të shëndetshme, bimë dhe barishte. Komunitetet tuaja ofrojnë tradita që meritojnë të ruhen dhe të festohen. Dhe rinia juaj, shumë prej të cilëve janë këtu sot, sjell pasion, talent dhe një dëshirë të jashtëzakonshme për të mësuar, për të shpikur dhe për të krijuar”, tha Antonini.

Ndërsa koordinatori i OKB-së për Zhvillim në Kosovë, Stephen O’Malley, rikujtoi rolin e sektorit të mikpritjes gjatë pandemisë dhe rëndësinë e përfshirjes sociale në tregun e punës.

“Gjatë pandemisë COVID-19, bizneset e mikpritjes dhe gastronomisë në Kosovë zbatuan në mënyrë kolektive masat e sigurisë, u përshtatën shpejt dhe luajtën një rol të rëndësishëm në mbrojtjen dhe mbështetjen e komuniteteve. Kjo u realizua në partneritet të ngushtë me ne, Kombet e Bashkuara dhe institucionet e tjera lokale, të cilat treguan qartë se si bashkëpunimi në këtë sektor mund të ndihmojë në përballimin e krizës duke vazhduar të shërbejë publikun. Që ky sektor të lulëzojë, mundësia duhet të jetë e qasshme për të gjithë: të rinjtë, burrat dhe gratë, pakicat, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që kërkojnë një fillim të ri, të gjithë meritojnë një shans të drejtë për të ndërtuar aftësi dhe për të gjetur punë të denjë. Përfshirja e mban sektorin të gjallë, kreativ dhe elastik. Dhe ky angazhim kontribuon drejtpërdrejt në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht punësimin e denjë, arsimin cilësor dhe uljen e pabarazive. Përparimi që shohim sot është vërtet rezultat i partneriteteve të forta”, tha O’Malley.

Nga ana e saj, ekspertja e projekteve në AICS, Afërdita Shani, theksoi përkushtimin strategjik të Italisë për zhvillimin profesional në rajon dhe mbështetjen e vazhdueshme për organizatat e shoqërisë civile.

“Kjo nismë në fakt pasqyron angazhimin strategjik që qeveria italiane dëshiron të ketë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Göteborg. Angazhimi ynë u përgjigjet jo vetëm sektorëve të kërkesës dhe ofertës në sektorin e mikpritjes dhe në tregun tonë,

por edhe në nxitjen e kësaj ekselence që meriton të forcohet më tej, të njihet dhe të bëhet konkurruese në nivel rajonal dhe ndërkombëtar… Në fushën e arsimit dhe trajnimit profesional, angazhimi ynë është gjithashtu, siç thashë, një angazhim rajonal. dhe përfshin nëntë projekte me grante, për shembull, me vlerë rreth 17 milionë euro, katër janë në Kosovë, katër në Shqipëri, por edhe në Bosnjë, të cilat promovohen, disa prej tyre, nga organizatat e shoqërisë civile. Kjo do të thotë se kur organizata e shoqërisë civile kërkon mbështetje nga qeveria italiane, qeveria italiane nga ana tjetër po i përgjigjet realisht për ta mbështetur”, tha Shani.

Pas fjalimeve hyrëse është mbajtur edhe një panel diskutimi: Tradita, Qëndrueshmëria dhe Inovacioni HoReCa me panelistë nga restaurante të ndryshme të vendit.

Gjithashtu, gjatë ditës së sotme do të ketë edhe sesione të demonstrimeve kulinare të udhëhequra nga studentë./kp