Kryediplomati gjerman në Forumin e Berlinit për vizitën në Ballkan: Investimi atje s’është favor, por interes i yni

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, pas vizitës që zhvilloi në Ballkanin Perëndimor, në Forumin e Berlinit ka folur për rëndësinë e anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Evropian dhe për “daljen nga zona e rehatisë së diplomacisë”. Kryediplomati tha se pas kaq vitesh në Ballkan luftërat janë kapërcyer, por jo edhe konfliktet që ishin…

Lajme

25/11/2025 16:04

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, pas vizitës që zhvilloi në Ballkanin Perëndimor, në Forumin e Berlinit ka folur për rëndësinë e anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Evropian dhe për “daljen nga zona e rehatisë së diplomacisë”.

Kryediplomati tha se pas kaq vitesh në Ballkan luftërat janë kapërcyer, por jo edhe konfliktet që ishin shkaktare të luftërave.

“Por, rëndësia thelbësore e daljes nga zona e rehatisë së diplomacisë sot është diçka që mund ta dëshmojmë jo vetëm në kontinente të tjera, por edhe në fqinjësinë tonë të afërt. Javën e kaluar, vizitova kryeqytetet e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe u takova me ushtarët tanë që garantojnë sigurinë atje çdo ditë. Tridhjetë vjet pas marrëveshjes së paqes së Dejtonit dhe një çerek shekulli pas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, rajoni i ka lënë pas luftërat, por jo edhe të gjitha konfliktet që dikur i kishin shkaktuar ato. Ajo që i bashkon gjashtë vendet – në të gjithë diversitetin e tyre – është perspektiva e përbashkët e pranimit në BE. Është një premtim që u bëmë atyre me Agjendën e Selanikut të vitit 2003. Besueshmëria e këtij premtimi mbetet një ndryshore që do të përcaktojë masën në të cilën lojtarët e tjerë gjeopolitikë, para së gjithash Rusia, gjejnë këtu një portë për në Evropë që po kërkojnë”, tha ai.

Por, Wadephul thotë se pavarësisht domosdoshmërisë gjeopolitike të integrimit në BE për shtetet e Ballkanit Perëndimor, e cila është vënë edhe më shumë në fokus që nga viti 2022, procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në meritë.

“Ky nuk është një qëllim në vetvete, por një parakusht për funksionimin e Bashkimit Evropian tonit. Shumë njerëz në Ballkanin Perëndimor kanë pritje të larta dhe legjitime se përpjekjet e tyre në rrugën drejt anëtarësimit në BE do të japin vërtet fryte. Luftimi i korrupsionit dhe promovimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit mbeten thelbësore. Prandaj, ne duam të krijojmë sinergji dhe të mundësojmë integrimin gradual në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Kjo përfshin, për shembull, një Treg të Përbashkët Rajonal si një pararendës të Tregut të Përbashkët – sepse njerëzit në rajon duhet të përjetojnë më herët dhe më konkretisht se përpjekjet e tyre për reforma po japin gjithashtu fryte. Kjo është qasja për të cilën ne mbështesim. Kjo është ajo për të cilën jemi të përkushtuar. Si donatori më i madh dypalësh, si kontribues me trupa, si partner. Duam ta shndërrojmë rajonin, i cili gjendet në oborrin e BE-së, në një histori suksesi të qëndrueshme”.

Dhe para se të mbyllte temën për Ballkanin Perëndimor, kryediplomati gjerman tha se investimi në këtë rajon është në interes të Evropës meqë një Ballkan Perëndimor i sigurt është garanci për një Evropë të sigurt.

“Dhe në të njëjtën kohë, investimi ynë në Ballkanin Perëndimor nuk është një favor, por përkundrazi në interesin tonë: Vetëm një Ballkan Perëndimor i sigurt dhe i qëndrueshëm mund të garantojë një Evropë të sigurt dhe të qëndrueshme”, tha ai.

Ky forum u organizua nga Fondacioni Körber mbi Politikën e Jashtme 2025.