​“Këto janë veprime korruptive – votimi përmes postës mund të dështojë”- Krejt debati i sotëm në mbledhjen e KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar buxhetin për zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor. Mes polemikave të shumta mes anëtarëve, KQZ miratoi buxhetin në vlerë 11.5 milionë euro, ku u përfshi edhe amendamenti ku parashihet që diasporës që regjistrohen për të votuar përmes postës, t’iu dërgohen fletëvotimet origjinale në adresë të vendbanimit të tyre.…

Lajme

25/11/2025 15:41

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar buxhetin për zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor. Mes polemikave të shumta mes anëtarëve, KQZ miratoi buxhetin në vlerë 11.5 milionë euro, ku u përfshi edhe amendamenti ku parashihet që diasporës që regjistrohen për të votuar përmes postës, t’iu dërgohen fletëvotimet origjinale në adresë të vendbanimit të tyre.

Për votuan anëtarët e KQZ-së nga radhët e PDK-së, LDK-së, AAK-së, KDTP-së dhe Listës Serbe, ndërkaq kundër u shprehën anëtarët e LVV-së dhe kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, të cilët theksuan rrezikun që ky proces mund të dështojë dhe fletëvotimet t’iu shkojnë me vonesë mërgimtarëve. Madje, sipas anëtarëve të LVV-së në KQZ, përmes kësaj forme do t’i pamundësohet mërgatës të votojnë përmes postës në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, kërkoi që para se të votohet buxheti për zgjedhjet, të votohet amendamenti që parasheh që fletëvotimi nga KQZ-ja t’iu shkojë përmes postës mërgimtarëve që regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e parakohshme.

“Të parashihet buxheti për dërgimin e fletëvotimeve për votuesit jashtë Kosovës, ata që regjistrohen. Përmes postës t’iu dërgohet fletëvotimi nga KQZ-ja secilit individualisht dhe fizikisht në secilin vend ku ai voton. Kërkojmë edhe një herë që kjo të përfshihet në buxhet duke marrë referencë edhe zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit”, tha ai.

Kërkesë të njëjtë parashtroi edhe anëtari i KQZ-së nga radhët e LDK-së, Sami Hamiti.

“Me bë një proces zgjedhor që e prish integritetin, unë nuk jam për atë. Nuk e kuptoj pse po ngulin këmbë pasi amendamentimi duhet të dalë kryetar para se të votohet buxheti. Kryetar, ti je kryesues, por nuk ka asnjë logjikë tutje”, tha ai.

Madje anëtari i KQZ-së nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, tha se dërgimi i fletëvotimit përmes postës të atyre që regjistrohen për të votuar nga diaspora është në përputhje me rregulloren.

“Ka një propozim prej nesh që të futet një amendament që nënkupton edhe pozicionin buxhetor për dërgimin e materialeve zgjedhore, fletëvotimeve me postë në diasporë. Mendoj se është krejt e logjikshme dhe në përputhje edhe me normat dhe rregulloret që ky propozim të nxirret në votim”, theksoi Nitaj.

Mirëpo, anëtari i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi, tha se sekretariati i këtij institucioni nuk e ka rekomanduar që mërgimtarëve që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit t’iu dërgohen fletëvotimet përmes postës.

“Duhet të procedojmë me buxhetin ashtu siç na ka ardhur. Meqenëse nga vet sekretariati s’ka ardhur asnjë rekomandim për këtë operacion, në formën siç kolegu e transmetoi. Edhe dje e kemi shterur debatin. Gjithashtu edhe sipas kërkesave që ishin dje, ku e shqyrtuam dhe ashtu siç e tha edhe kolegu, e mori atë epilog dhe jemi në limitet e kohës në fillimin e organizimeve të operacioneve zgjedhore. Sa më shumë që vonohet, më shumë sesa sot ky buxhet do të krijojë probleme në organizimin e procesit zgjedhor dhe zbatimin e aktiviteteve të përcaktuara me ligj”, deklaroi Krasniqi.

Në anën tjetër, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se në bazë të përgjigjeve që ka marrë nga Posta e Kosovës dhe posta e shpejt ‘DHL’, procesi i dërgimit të fletëvotimeve me postë do të dështojë. Sipas tij, ky operacion zgjedhor që pritet të kushtojë mbi 3 milionë euro mund të dështojë dhe mjetet buxhetore të digjen dhe shërbimi të mos kryhet.

Ai tha se dërgesat e fletëvotimit për mërgimtarët që regjistrohen për të votuar mund të shkojnë diku pas datës 7 janar.

“Jemi të sigurt në bazë të përgjigjes nga Posta e Kosovës dhe DHL që ky operacion ka me dështuar. Kemi raportimin se kjo nuk mundet me u përfunduar. Janë në pyetje 3 milionë e 722 mijë euro që janë të parapara që të dështojnë. Unë nuk jam i interesuar t’i djeg tre milionë euro… Çështja është se dy institucione që e transmetojnë postën na kanë deklaruar me shkrim zyrtarisht se dërgesat nuk shkojnë ose shkojnë diku kah 7 janar. Me këtë njohuri tash ne dhe me insistua me harxhua të gjitha ato para është absurde. Janë para që mund të harxhohen pa asnjë shërbim”, theksoi ai.

Por atij i reagoi anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Arianit Elshani, i cili tha se një gjë e tillë është vetëm hamendësim dhe nuk është e konfirmuar.

“Mes asaj që po thoni ju dhe çka thuan në raport është se atje shkruan se është e vështirë me u kontraktua. Së paku ka hamendësime dhe nuk është e konstatuar, pasi ti nuk je nënshtruar një procesi të tillë. E dyta, ti po thua që nuk e nënshkruaj, ose është ajo që po thotë raporti ose ajo që po themi këtu në mbledhje. Nëse raporti thotë se është e vështirë me u kontraktua, ky duhet me qenë konstatimi dhe jo ‘nuk e nënshkruaj’ pasi kërkesa ka me pas për me realizua këtë aktivitet”, theksoi ai.

Përkundër kësaj, Radoniqi e hodhi në votim buxhetin me amendamentin e propozuar nga anëtarët e KQZ-së nga PDK-ja, i cili mori votat e nevojshme.

Pas kësaj, anëtari i KQZ-së nga LVV-ja, Alban Krasniqi, u shpreh i revoltuar, ku tha se për shkak të këtyre veprimeve po i mohohet votimi përmes postës mërgatës. Madje ai tha se ky votim paraqet edhe veprime korruptive.

“Për shkak të veprimeve tuaja mërgatës ju ia mohoni formën e votimit përmes postës. Secili le t’i marrë përgjegjësitë e veta por edhe sekretariati le t’i shikojë mirë, se raporti që e kanë sjellë tregon qartë se nuk mundësohet një votim i tillë. Nëse ka njerëz këtu që votuan për një buxhet që në bazë të raportit thuhet se është abuzim me atë buxhet të çfarëdo operacioni që bëhet pasi nuk e mbërrin qëllimin, dini se jeni duke marrë veprime korruptive përveç veprime që pamundësojnë kryerjen e një të drejte kushtetuese”, tha ai.

Kostoja fillestare e planifikuar dhe prezantuar në mbledhjen e KQZ-së ishte në vlerën 7,771,486 euro. Vlera përfundimtare e buxhetit të planifikuar përfshin edhe miratimin e amendamentit të propozuar gjatë mbledhjes që parasheh dërgimin e pakove me fletëvotime në adresë të votuesve, të cilët do të regjistrohen për të votuar përmes postës. Kostoja e përafërt për dërgimin e pakove me fletëvotime përmes shërbimit postar është në vlerën 3,722,040 euro dhe është llogaritur për rreth 84,000 votues potencialë.