Lufta drejt fundit! – Ukraina raportohet se e ka pranuar marrëveshjen e paqes me Rusinë, të ndërmjetësuar nga ShBA

Sipas mediave amerikane, Ukraina ka pranuar kushtet e një marrëveshjeje paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Moska ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare. CBS News raportoi, duke cituar një zyrtar amerikan, se Kievi ka “rënë dakord për një marrëveshje paqeje” për t’i dhënë fund pushtimit katërvjeçar rus, me vetëm “disa detaje të…

Bota

25/11/2025 14:51

Sipas mediave amerikane, Ukraina ka pranuar kushtet e një marrëveshjeje paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Moska ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare.

CBS News raportoi, duke cituar një zyrtar amerikan, se Kievi ka “rënë dakord për një marrëveshje paqeje” për t’i dhënë fund pushtimit katërvjeçar rus, me vetëm “disa detaje të vogla” që mbeten për t’u finalizuar. Autoritetet ukrainase nuk e kanë konfirmuar ende publikisht pranimin e planit, transmeton lajmi.net.

Ky zhvillim vjen disa orë pasi këshilltari i sigurisë kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, deklaroi se Kievi ka arritur një “mirëkuptim të përbashkët” me Shtëpinë e Bardhë në lidhje me marrëveshjen për t’i dhënë fund luftës.

Umerov bëri të ditur gjithashtu se presidenti Volodymyr Zelensky pritet të vizitojë Shtetet e Bashkuara në ditët në vijim për të finalizuar marrëveshjen me presidentin Donald Trump.

Zelensky të hënën mirëpriti ndryshimet e bëra në planin 28-pikësh të paqes të propozuar nga Trump, pas takimeve të zhvilluara në Gjenevë. Edhe vetë Trump vlerësoi progresin e bisedimeve, duke shkruar në Truth Social se “diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur”./lajmi.net/