LDK e nominoi kandidat për kryeministër, Abdixhiku: Nderi më i madh politik që mund t’i jepet një njeriu

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka falënderuar kolegët e tij të kryesisë për besimin e plotë, pasi në takimin e sotëm, e nominuan sërish kandidat për kryeministër. Përmes një postimi në Facebook, i pari i LDK-së kërkoi nga qytetarët e Kosovës t’i bashkohen, siç thotë ai, nëse besojnë se e ardhmja e…

Lajme

24/11/2025 21:11

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka falënderuar kolegët e tij të kryesisë për besimin e plotë, pasi në takimin e sotëm, e nominuan sërish kandidat për kryeministër.

Përmes një postimi në Facebook, i pari i LDK-së kërkoi nga qytetarët e Kosovës t’i bashkohen, siç thotë ai, nëse besojnë se e ardhmja e fëmijëve duhet ndërtuar mbi punë, dije dhe vlera.

“Dhe sot dua t’u drejtohem të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim partie, bindjeje apo zhgënjimi: Nëse besoni në një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar, më europiane; nëse besoni se ky vend meriton qeveri që respekton ligjin dhe institucionet; Nëse besoni se e ardhmja e fëmijëve tanë duhet ndërtuar mbi punë, dije dhe vlera – atëherë ju ftoj të bashkohemi. Të bashkohemi për Kosovën. Të bashkohemi për një qeveri serioze”, tha ai.

Ndër të tjera, kreu i kësaj partie theksoi se 28 dhjetori është disa kur niset një rrugë e re, duke u shprehur se është gati.

“Të bashkohemi për t’i dhënë fund aventurës politike dhe për ta kthyer vendin në rrugën e sigurt të zhvillimit. 28 dhjetori është dita kur e nisim rrugën e re. Dhe unë, me përulësi dhe vendosmëri, jam gati”, përfundon postimi.