Përmbytjet në Shqipëri, uji nis të tërhiqet në disa zona
Në ditën e pestë të reshjeve të shiut, situata vazhdon të paraqitet problematike në disa zona të Shqipërisë, teksa raportohet se niveli i lumit Vjosa ka rënë në nivelin e zakonshëm. Në Qarkun e Vlorës uji është tërhequr nga banesat dhe tokat bujqësore, dhe lumi Vjosë ka rënë në nivelin katër metra duke bërë që…
Lajme
Në ditën e pestë të reshjeve të shiut, situata vazhdon të paraqitet problematike në disa zona të Shqipërisë, teksa raportohet se niveli i lumit Vjosa ka rënë në nivelin e zakonshëm.
Në Qarkun e Vlorës uji është tërhequr nga banesat dhe tokat bujqësore, dhe lumi Vjosë ka rënë në nivelin katër metra duke bërë që lumi të jetë brenda shtratit.
Edhe në Maliq të Korçës situata e reshjeve është përmirësuar, por shiu i ditëve të mëparshme ka sjellë dëme të mëdha për 150 familje duke i përmbytur banesat dhe tokat bujqësore. Në Korçë mendohet se u përmbytën 300 hektarë tokë me drithëra, ndërsa në Pogradec u përmbytën 25 hektarë tokë bujqësore të kultivuara me rrush dhe drithëra.
Në tërë vendin rreth 200 familje u evakuuan nga banesat e tyre për shkak të përmbytjeve, nga të cilët 150 janë rikthyer në shtëpitë përkatëse, ndërsa pjesa tjetër është strehuar në konvikte ose çadra. Dalja e lumit Seman nga shtrati në Bashkinë Dimal ka dëmtuar 110 hektarë sera të mbjella me perime të stinës.
Ndërsa vetëm Bashkia Dimal mendohet që në ujë të ketë 500 hektarë, ku fshati më i dëmtuar është Goriçani, pasi reshjet e shiut tashmë kanë kalbur prodhimin bujqësor. E njëjta situatë paraqitet në fshatin Çiflig dhe Arrëz. Ndërsa në Sarandë afërsisht 500 hektarë tokë bujqësore është nën prezencën e shiut, deri më tani në këtë bashki numri i bagëtive të mbytura në stalla shkon në 700.
Shumë toka bujqësore janë përmbytur si pasojë e çarjes së argjinaturës Çukë-Bërdënesh, gjithashtu janë përmbytur edhe 15 magazina me baza ushqimore të përmbytura.
Reshjet e shiut kanë ndikuar që në disa zona të thella në jug të vendit shumë fshatra po përballen edhe me ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike, raporton tch.