Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar sot Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Financave për bllokim të qëllimshëm të të hyrave vetanake të kryeqytetit, duke paralajmëruar se shërbime jetike për qytetarët rrezikojnë të ndërpriten që nga dita e nesërme.
Në një konferencë për media, Rama deklaroi se situata ka arritur në pikën më kritike deri më sot.
“Për herë të parë në histori po ndodh që qeveria t’i bllokojë të hyrat vetanake të kryeqytetit. Shërbime jetike të Prishtinës që përdoren për ushqim në shkolla, transport publik, shëndetësi e ndihmë sociale janë në prag të ndërprerjes nesër,” tha ai.
Ai theksoi se transporti publik do të ndalet duke nisur nga dita e nesërme, pas njoftimit të pranuar nga operatorët.
“Sapo përfundova një takim me përfaqësues të transportit urban dhe atyre të sektorit privat, që më njoftuan se nga nesër transporti publik do të ndalet,” përfundoi Rama.
Sipas Ramës, gjatë më shumë se një viti, Komuna e Prishtinës ka kërkuar vazhdimisht alokimin e buxhetit, por asnjë kërkesë nuk është trajtuar nga Ministria e Financave.
“Prej mbi 1 viti, në mënyrë të vazhdueshme kemi kërkuar alokimin e buxhetit që i takon kryeqytetit. Asnjë kërkesë nuk është trajtuar. Buxheti është bllokuar për çështje politike,” u shpreh Rama.
Ai tha se në total janë bllokuar 35 milionë euro, prej të cilave 25 milionë euro janë të hyrat vetanake dhe 10 milionë euro grant qeveritar.
“35 milionë euro, prej të cilave 25 milionë janë të hyrat vetanake dhe 10 milionë të grantit qeveritar, janë bllokuar nga Ministria e Financave në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën,” theksoi Rama.
Kryetari njoftoi se komunës i është pamundësuar pagesa e stafit dhe funksionimi i shërbimeve esenciale. Rama po ashtu bëri të ditur se ka ndërmarrë hapa juridikë kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“Ju kam lajmëruar edhe më herët që kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë, Hekuran Murati,” tha ai.
Ai bëri të ditur se institucioni i tij i është drejtuar edhe krerëve të shtetit dhe po pret një vendim urgjent nga Gjykata Kushtetuese.
“I jemi drejtuar edhe kryeministrit dhe presidentes, dhe kemi kërkuar shqyrtim urgjent nga Gjykata Kushtetuese,” shtoi Rama.
I pari i Prishtinës u shpreh se nuk e ka besuar kurrë që qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për interesa zgjedhore.