Bajrami: Subvencionimi i energjisë është korrupsion dhe gënjeshtra më e madhe e qeverisë Kurti

Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar qeverinë Kurti për subvencionimin e faturave të energjisë, duke e quajtur “korrupsion dhe gënjeshtra më e madhe e kësaj qeverie”. Ajo ka theksuar se ndërsa në tetor të vitit 2019 një familje mesatare ka paguar 54 euro, e njëjta familje në tetor 2025 ka paguar 169 euro, duke…

Lajme

22/11/2025 11:20

Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar qeverinë Kurti për subvencionimin e faturave të energjisë, duke e quajtur “korrupsion dhe gënjeshtra më e madhe e kësaj qeverie”.

Ajo ka theksuar se ndërsa në tetor të vitit 2019 një familje mesatare ka paguar 54 euro, e njëjta familje në tetor 2025 ka paguar 169 euro, duke rritur faturën për 300%, transmeton lajmi.net.

“300% më shumë, e tash kishin ‘ne jemi për popull dhe po subvencionojmë faturat familjeve’”, ka thënë Bajrami.

Sipas Bajramit, ngritja e çmimeve ka ndikuar edhe në bizneset vendore, ku çmimi i MWh ka shkuar nga 75 në 206 euro pas liberalizimit të tregut.

Ajo ka akuzuar qeverinë se “po i subvenciononi xhepat e tregtarëve të energjisë me të cilët keni lidhje të ngushta, me paratë e rinisë që ka ikë në mërgim e nga atje po e financon konsumin në Kosovë”.

Postimi i plotë:

”Subvencionimi i faturave të energjisë”
Energjia – korrupsioni dhe gënjeshtra më e madhe e kësaj Qeverie
Dje Albin Kurti përmes Hekuran Muratit na njoftoi se në këtë muaj ka nisur subvencionimi i faturave të energjisë elektrike.
Çfarë hipokrizie!
Derisa në tetor të vitit 2019 një familje mesatare në Kosovë ka paguar 54 Euro. A e dini sa ka paguar e njëjta familje në tetor të vitit 2025? Ka pagu 169 Euro. dmth. 300% më shumë, e tash kishin ”ne jemi për popull dhe po subvencionojmë faturat familjeve”.
Por, pos ngritjes së çmimit të energjisë elektrike për 300%, rreth 1300 biznese vendore, pjesa dërmuese prodhuese pas “liberalizimit të tregut” çmimin e MWh që tetorin e vitit të kaluar e kanë pagu 75 Euro tash e paguajnë 206 Euro.
Ndërsa të dhënat e Doganës së Kosovës konfirmojnë se derisa Kosova për vitet 2015-2020 ka importu 273 milionë Euro energji, importi i energjisë gjatë pesë viteve të qeverisë së Albin Kurtit 2021 – shtator 2025 ka arritur në 811 milionë Euro.
A po e shihni mashtrimin?
Ani “po ju subvencionojmë faturat”
Po i subvenciononi xhepat e tregtarëve të energjisë me të cilët keni lidhje të ngushta, me paratë e rinisë që ka ikë në mërgim e nga atje po e financon konsumin në Kosovë (krejt kjo lehtë e faktushme)./lajmi.net/