Për herë të parë në Kosovë mbahet Punëtoria Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale
Agjencia për Informim dhe Privatësi organizon ngjarjen ndërkombëtare European Case Handling Workshop 2025 (ECHW) – Punëtoria Evropiane për Shqyrtimin e Rasteve në Fushën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Për herë të parë në Kosovë, nën patronatin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, nga data 17 deri më 19 nëntor 2025, në Prishtinë, ka filluar…
Lajme
Agjencia për Informim dhe Privatësi organizon ngjarjen ndërkombëtare European Case Handling Workshop 2025 (ECHW) – Punëtoria Evropiane për Shqyrtimin e Rasteve në Fushën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
Për herë të parë në Kosovë, nën patronatin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, nga data 17 deri më 19 nëntor 2025, në Prishtinë, ka filluar punimet ngjarja ndërkombëtare European Case Handling Workshop 2025 (ECHW) – Punëtoria Evropiane për Shqyrtimin e Rasteve në Fushën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
“Ngjarja ndërkombëtare European Case Handling Workshop 2025 – Puntoria Evropiane për Shqyrtimin e Rasteve në Fushën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale (ECHW 2025), mbledh rreth 70 pjesëmarrës të autoriteteve ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nga 23 shtete evropiane: Austria, Belgjika, Gjermania, Luksemburgu, Irlanda, Lituania, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Sllovenia, Kroacia Suedia, Zvicrra, Guernsey, Hungaria, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Kroacia, Çekia, Estonia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore.
Organizimit të Agjencisë do t’i bashkohen gjashtë Komisionerë, udhëheqës të autoriteteve vendimmarrëse për mbrojtjen e të dhënave personale që do të jenë edhe folës në hapjen e punimeve të European Case Handling Workshop 2025. Hapja e punimeve të konferencës do të bëhet nga Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dermanku për të vazhduar me fjalimin e z. Zdravko Vukić, Nënkryetar i Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) dhe Drejtor i Agjencisë Kroate për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AZOP), z. Mirosław Wróblewski, President i Zyrës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Polonisë (UODO), z. Brent Homan, Komisioner i Zyrës së Autoritetit për Mbrojtjen e të Dhënave të Guernseyt (ODPA), z. Recep Keskin, Komisioner i Autoritetit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Turqisë (KVVK) dhe z. Gwendal Le Grand, Zëvendës Shef i Sekretariatit të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB)”,thuhet në njoftimin për media.
Ngjarja e organizuar me karakter ndërkombëtar, do të fokusohet në diskutimet për sfidat dhe zhvillimet aktuale në fushën e privatësisë dhe sigurisë së të dhënave në epokën e transformimit digjital dhe zhvillimin të inteligjencës artificiale, ndërsa do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e praktikave, koordinimin institucional dhe avancimin e bashkëpunimit evropian dhe adresimin e sfidave për mbrojtjen e të dhënave personale në qeverisjen digjitale.
Organizimi ndërkombëtar i European Case Handling Workshop 2025, shënon një arritje të rëndësishme për shtetin e Kosovës në kuptimin e përkushtimit institucional dhe prezantimit të progresit të arritur në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe rrjedhimisht reflekton forcimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
European Case Handling Workshop 2025, mbledh ekspertë dhe autoritete vendimmarrëse në nivel Evropian për të adresuar tema që po ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e standardeve për mbrojtjen e të dhënave personale, si – Kamerat inteligjente dhe të dhënat biometrike në hapësira publike, Deepfake dhe përmbajtja e krijuar nga inteligjenca artificiale- Të dhënat e fëmijëve në platformat digjitale dhe lojërat online- Data scraping dhe përdorimi i të dhënave të qasshme publikisht- Mbrojtja e të dhënave në bashkëpunimin ndërkufitar- Përpunimi i të dhënave shëndetësore në epokën e digjitalizimit.
Ndër të tjera, European Case Handling Workshop 2025, ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve evropiane të mbrojtjes së të dhënave, shkëmbimin i praktikave më të mira për trajtimin e rasteve, hetimeve dhe ankesave, diskutimin e çështjeve mbi mbikëqyrjen, transparencën, koordinimin dhe zbatimin e GDPR ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse.