Gruas me aftësi të kufizuara nuk i del pensioni me rritje: Kam thirrur edhe në Ministri të Financave

Një grua me aftësi të kufizuar nuk e ka marrë pensionin me rritje, sikur që lajmëroi kryeministri në detyrë, Albin Kurti të premten. Ajo (emër i njohur për redaksinë), tha për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online se mesazhin e mori për pension, por jo me rritje. “Më ka ardh mesazhi, por më ka ardh sikur…

Lajme

17/11/2025 12:42

Një grua me aftësi të kufizuar nuk e ka marrë pensionin me rritje, sikur që lajmëroi kryeministri në detyrë, Albin Kurti të premten.

Ajo (emër i njohur për redaksinë), tha për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online se mesazhin e mori për pension, por jo me rritje.

“Më ka ardh mesazhi, por më ka ardh sikur herën e kaluar, nuk më ka dalë me rritje pensioni”, tregoi pensionistja nga Kaçaniku.

Ajo thotë të ketë thirr në numrin e Ministrisë së Financave por nuk ia kanë hap.

“Kam thirr në numrin e Ministrisë së Financave, i kam kontaktuar por nuk e kanë hap. Pra, numrin që e kanë në uebfaqen”, tha ajo.

Kryeministri në detyrë shkroi të premten se “Nga ky muaj, pensioni minimal prej 120 euro bëhet 150 euro në muaj. Kurse sot me rritjen e paraparë janë ekzekutuar pensionet bazike dhe pensionet për personat me aftësi të kufizuara. Rritjen ekonomike dhe të buxhetit të shtetit po e rishpërndajmë me ata që kanë më së shumti nevojë”.