Deklarata shokuese – Kosova afro tri herë më shumë banda kriminale se sa Kolumbia e Meksika, sipas Osmanit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë për revistën prestigjioze Politico. Ajo në atë intervistë, ka thënë se kanë shkatërruar mbi 900 banda kriminale në Kosovë. “Më në fund, në Kosovë ai e ka partnerin që e ka kërkuar tërë kohën. Në këto pesë vite kemi çmontuar mbi 900 banda kriminale. Kemi prerë…
Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë për revistën prestigjioze Politico. Ajo në atë intervistë, ka thënë se kanë shkatërruar mbi 900 banda kriminale në Kosovë.
“Më në fund, në Kosovë ai e ka partnerin që e ka kërkuar tërë kohën. Në këto pesë vite kemi çmontuar mbi 900 banda kriminale. Kemi prerë zinxhirin që quhej “mafia e Ballkanit”. Nuk ka banda kriminale në vendin tonë”, ka thënë Osmani.
Ky numër i bandave që Osmani ka deklaruar të kenë qenë në Kosovë, është tri herë më i lartë se numri i bandave kriminale së bashku në Kolumbi e Meksikë, sipas informacioneve në internet.
Në bazë të një kërkimi, rezulton që në Meksikë ekzistojnë gjashtë kartele kryesore, më të fuqishmet në vend: Sinaloa, Jalisco New Generation (CJNG), Gulf, Los Zetas, Beltran-Leyva dhe La Familia Michoachana.
Përveç tyre, ekzistojnë mbi 180 grupe të vogla lokale të quajtura “grupos delictivos locales”.
Në anën tjetër, në Kolumbi ekzistojnë dy banda kriminale me ndikim të madh: Ejercito de Liberacion Nacional (ELN) dhe fraksione të FARC-EP.
Në bazë të të dhënave të autoriteteve kolumbiane, rezulton që janë rreth 150 banda lokale.
Pra, bërë bashkë, në dy shtetet ku përmenden më së shumti termat si “kartelë” e “banda” figurojnë aktive 330 banda lokale.
Kosova në shtator të këtij viti është radhitur ndër vendet më të sigurta në botë sipas Gallup Global Safety Report 2025. Me një Index Score prej 94 pikësh, Kosova mban vendin e tretë në botë, pas Taxhikistanit (97) dhe Singaporit (95), duke u renditur kështu e para në Evropë për ligj dhe rend.
Raporti e përfshin Kosovën gjithashtu në dhjetë vendet e para në botë për sigurinë gjatë ecjes vetëm natën, ku 89% e qytetarëve kanë deklaruar se ndihen të sigurt. Ky rezultat e vë Kosovën përkrah shteteve si Norvegjia, Islanda, Finlanda dhe Zvicra.

