Prishtinë, Hagë, Tiranë e Strasburg – Me flamuj kuq e zi, OVL-UÇK kërkon drejtësi për çlirimtarët në Hagë

Pas protestave në disa qytete të ndryshme të Evropës, tani ankesat kundër gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë drejtuar në Strasburg të Francës, para asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës. Aty, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së bëri të ditur se ka dorëzuar 285 letra në emër të secilit anëtar të…

Lajme

16/11/2025 18:01

Pas protestave në disa qytete të ndryshme të Evropës, tani ankesat kundër gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë drejtuar në Strasburg të Francës, para asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës.

Aty, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së bëri të ditur se ka dorëzuar 285 letra në emër të secilit anëtar të Asamblesë së Këshillit të Evropës, me shqetësimet e tyre lidhur me procesin në Gjykatën Speciale.

Qëllimi i protestës, e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, është shprehja e pakënaqësive me gjyqin ndaj ish-eprorëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe po shkon drejt përfundimit. Që të gjithë ata i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në letrën drejtuar anëtarëve të Këshillit të Evropës në Strasburg, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, shprehi shqetësime të thella për mënyrën si po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ai theksoi se aktakuzat e vitit 2020 e paraqesin strukturën e UÇK-së si “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, gjë që sipas tij përbën një tentim indirekt për të kriminalizuar luftën çlirimtare të Kosovës, me pasoja të rënda historike dhe politike.

Në përmbyllje të letrës, Gucati u bëri thirrje vendeve anëtare të marrin parasysh këto shqetësime dhe t’i komunikojnë ato në institucionet përkatëse shtetërore dhe ministritë e jashtme, në mënyrë që të sigurohet një qasje e drejtë, e balancuar dhe në frymë të drejtësisë për proceset gjyqësore që lidhen me Kosovën.

Strasburgu është vendi i katërt, ku OVL-UÇK e shqiptarë të shumtë kanë protestuar duke kërkuar liri për çlirimtarët.

Më 7 gusht të këtij viti, mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë për të protestuar dhe kërkuar drejtësi për çlirimtarët në Hagë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në këtë protestë u shpreh me tone të forta kundër Gjykatës Speciale, duke e quajtur atë “anti-UÇK” dhe akuzoi për deformim të historisë së luftës çlirimtare.

“Sot veteranët e UÇK-së janë krenarë për numrin e madh të qytetarëve që janë bashkuar kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale. Kjo gjykatë është e njëanshme dhe anti-shtetit të Kosovës,” tha Gucati.

Ai theksoi se bashkimi i tyre është për të mbrojtur lirinë, të vërtetën dhe pavarësinë e luftës së UÇK-së, duke shtuar se Gjykata Speciale ka devijuar misionin e saj dhe po bën padrejtësi ndaj luftëtarëve që dolën për liri dhe dinjitet.

“Luftëtarët e UÇK-së ishin përgjigja legjitime ndaj shtypjes së regjimit serb, i cili ndërmori spastrime etnike, përdhunime masive, vrasje dhe zhdukje,” tha Gucati. Ai theksoi se asnjë gjykatë në botë nuk mund ta zbehë këtë të vërtetë historike.

“Gjykata Speciale, me veprimet e njëanshme dhe përzgjedhjen selektive të të pandehurve vetëm nga pala shqiptare, po përpiqet të përmbysë historinë në favor të Serbisë,” përfundoi ai.

Një protestë e përmasave shumë të mëdha u mbajt edhe në Hagë të Holandës më 14 shtator të këtij viti, ku ndodhet Gjykata Speciale e ku po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Regjep Selimi.

Mijëra shqiptarë u mblodhën një muaj pas kësaj proteste, më 17 tetor në Tiranë, për të protestuar për të njëjtat arsye, shkruan lajmi.net.

Protesta filloi me himnin kombëtar shqiptar dhe brohoritje “UÇK, UÇK”, dhe mbaroi me thirrjet “Liri për çlirimtarët”.

Gjatë protestës, Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi falënderoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, për kontributin në organizimin e ngjarjes.

Në këtë protestë foli edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili kritikoi ashpër Specialen, duke theksuar se kjo gjykatë ka zanafillën në raportimet trilluese ruso-serbe.  Ai kishte kërkuar lirimin e katër ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.

Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së, kishte deklaruar protesta ishte ngritur për të kërkuar drejtësi dhe për të mbrojtur UÇK-në

“UÇK-ja nuk ka nevojë të dëshmojë se ishte ushtri çlirimtare, këtë e ka dëshmuar historia, populli, varret e dëshmorëve të kombit dhe bota mbarë”, kishte deklaruar ai.

Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023, tri vjet pasi ishin arrestuar dhe dërguar në mbajtje në gjykatën e Kosovës në Hagë.

Tani, më shumë se dy vjet më vonë, gjyqi ndaj tyre po shkon drejt përfundimit, pasi tani mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur dëshmitarët e saj.

Në mbrojtje të dëshmuan në shtator ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams, i dërguari i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, Chris Hill, dhe ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan.

Që të gjithë thanë në dëshmitë e tyre se Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK-në.

Gjykata Speciale pret që deri në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.

Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve. /Lajmi.net/