“Keni tre muaj kohë” – ShBA i jep goditje të fuqishme Serbisë, i jep ultimatum që të heq rusët nga kompania e naftës “NIS”

Serbia është vënë nën presion të fortë ndërkombëtar, pasi Uashingtoni i ka caktuar një afat prej tre muajsh për të gjetur një blerës të ri për kompaninë e saj të naftës NIS, e cila kontrollohet nga kapitali rus dhe tashmë ndodhet nën sanksione të ashpra. Lajmin e ka konfirmuar ministrja e energjisë, Dubravka Djedoviq-Handanoviq, duke…

Lajme

15/11/2025 17:11

Serbia është vënë nën presion të fortë ndërkombëtar, pasi Uashingtoni i ka caktuar një afat prej tre muajsh për të gjetur një blerës të ri për kompaninë e saj të naftës NIS, e cila kontrollohet nga kapitali rus dhe tashmë ndodhet nën sanksione të ashpra.

Lajmin e ka konfirmuar ministrja e energjisë, Dubravka Djedoviq-Handanoviq, duke paralajmëruar se situata mund të rrezikojë furnizimet me karburant në prag të dimrit, transmeton lajmi.net.

Sipas saj, pronarët aktualë – Gazprom Neft dhe Gazprom, që së bashku mbajnë 56% të aksioneve të kompanisë – i janë drejtuar Zyrës së Kontrollit të Aseteve të Huaja të SHBA-së (OFAC) për të deklaruar gatishmërinë e heqjes dorë nga kontrolli i NIS-it. Pavarësisht se sanksionet amerikane ndaj sektorit rus të naftës janë vendosur që në janar, ato për NIS-in janë shtyrë disa herë dhe më në fund kanë hyrë në fuqi më 8 tetor.

Djedoviq-Handanoviq bëri të ditur se Departamenti i Thesarit të SHBA-së ka aprovuar një licencë të përkohshme tre mujore, duke u lënë kohë pronarëve të kërkojnë blerës, ndërkohë që kompania nuk do të mund të operojë: “Është marrë një miratim për negociatat e pronësisë… deri më 13 shkurt”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, bllokadat kanë nisur tashmë: bankat kanë ndërprerë transaksionet me NIS-in dhe tubacioni kroat JANAF ka pezulluar dërgesat e naftës bruto, duke çuar në vlerësimin se rafineria do të mund të punojë vetëm deri më 25 nëntor pa furnizime të reja.

SHBA-të kërkojnë jo vetëm ndryshim të kontrollit, por largimin e plotë të kapitalit rus nga kompania. Sipas ministres, një prej opsioneve që mund të shqyrtohen është edhe marrja e NIS-it nën kontroll shtetëror nga Serbia, ndonëse kjo nuk ka mbështetjen e presidentit.
Ajo tha: “Si ministre e energjisë, besoj se kemi vendime të vështira për të marrë, nëse do ta marrim përsipër kompaninë dhe do t’i kompensojmë dëmet. E di që presidenti Aleksandar Vuçiq është kundër kësaj”.

Qeveria pritet të diskutojë të dielën për hapat e mëtejmë. Aktualisht, Gazprom Neft zotëron 44.9% të aksioneve, Gazprom 11.3%, ndërsa 29.9% janë në pronësi të shtetit serb; pjesa tjetër është e shpërndarë te aksionarët e vegjël dhe punonjësit./lajmi.net/