“Valdet Gashi s’e ka fituar asnjë rast” – Pretendimi i Hajdarit bie poshtë pasi Gashi ishte te rasti “Veteranët”
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e akuzuar për skandalin e rezervave shtetërore, ka sulmuar Prokurorinë Speciale dhe prokurorin Valdet Gashi. Në konferencën për media pas ngritjes së aktakuzës, Hajdari deklaroi se prokurori Gashi, së bashku me prokurorin Milot Krasniqi, nuk kanë fituar asnjë rast, raporton lajmi.net “Prokuroria vendos të më…
Lajme
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e akuzuar për skandalin e rezervave shtetërore, ka sulmuar Prokurorinë Speciale dhe prokurorin Valdet Gashi.
Në konferencën për media pas ngritjes së aktakuzës, Hajdari deklaroi se prokurori Gashi, së bashku me prokurorin Milot Krasniqi, nuk kanë fituar asnjë rast, raporton lajmi.net
“Prokuroria vendos të më ndjekë mua politikisht, për të luftuar Qeverinë, e cila atë dhe shefin e tij, Blerim Isufajn, nuk i lejoi të avancohen. Prokuroria Speicale, në krye me Valdet Gashin dhe Milot Krasniqin, që na akuzojnë neve, dy prokurorë këta kurrë nuk kanë fituar një rast në gjykatë”, tha ajo para mediave.
Megjithatë, Hajdari nuk e di ose nuk do ta pranojë që prokurori Gashi ka kryer detyrën e tij, ngase ai kishte qenë prokuror në rastin “Veteranët”, ku më 14 korrik të akuzuarit u shpallën fajtorë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykim, kishte dënuar me nga një vit burgim 10 të akuzuarit në këtë rast.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë të hënën ndaj Ministres Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore. Tre të parët akuzohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës. “Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ata akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Hajdari bashkë me dy zyrtarët akuzohet se ka zbuluar sekrete shtetërore tek biznesmeni Muharremi, ashtu që i kanë treguar vendndodhjen e rezervës.
“Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”, thuhet në njoftim./Lajmi.net/