Deputetja Lushaku-Sadriu kritikon Qeverinë: Kryeqyteti po shantazhohet – Albini dhe Hekurani e kanë bllokuar Buxhetin e Prishtinës që 11 muaj

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar qeverinë në detyrë për bllokimin politik të buxhetit të Prishtinës. Përmes një postimi në Facebook, Lushaku e ka quajtur Qeverinë “uzurpatore” dhe ka theksuar se për 11 muaj kryeqyteti ka mbetur pa buxhet, me pasoja direkte për qytetarët, transmeton lajmi.net. “Po flasim për 33 milionë…

Lajme

13/11/2025 21:51

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar qeverinë në detyrë për bllokimin politik të buxhetit të Prishtinës.

Përmes një postimi në Facebook, Lushaku e ka quajtur Qeverinë “uzurpatore” dhe ka theksuar se për 11 muaj kryeqyteti ka mbetur pa buxhet, me pasoja direkte për qytetarët, transmeton lajmi.net.

“Po flasim për 33 milionë euro të ngujuara me qëllim: 23 milionë nga të hyrat e veta, pra pagesa direkte të qytetarëve të Prishtinës, dhe 10 milionë nga granti qeveritar. Krejt këto para të qytetarëve po mbahen pezull për llogari politike”, ka shkruar deputetja.

Lushaku ka paralajmëruar se situata po rrezikon shërbimet për qytetarët, përfshirë ushqimin për fëmijët në çerdhe dhe shkolla. Ajo gjithashtu ka bërë me dije se punëtorët e pastrimit nuk kanë marrë paga për dy muaj, stafi i ndërmarrjeve komunale punon pa pagesë, dhe mijëra punëtorë të kompanive me kontrata me komunën mbeten pa pagë, ndërsa projektet e planifikuara nuk po avancojnë.

Ky reagim vjen pas 11 muajsh që Prishtina nuk ka marrë miratimin e buxhetit nga qeveria në detyrë, një situatë që Lushaku e konsideron si presion politik mbi kryeqytetin.

Postimi i plotë: 

KRYEQYTETI PO SHANTAZHOHET POLITIKISHT
‘Qeveria uzurpatore’ me në krye Albinin dhe Hekuranin e ka bllokuar Buxhetin e Prishtinës tash e 11 muaj!
Bllokimi i Buxhetit të Kryeqytetit është vendim politik dhe pasojat po i paguajnë qytetarët e Prishtinës.
Po flasim për 33 milionë euro të ngujuara me qëllim: 23 milionë nga të hyrat e veta, pra pagesa direkte të qytetarëve të Prishtinës dhe 10 milionë nga granti qeveritar, krejt këto para të qytetarëve që qeveria e mban pezull për llogari politike.
Për këtë arsye po rrezikohet ushqimi i fëmijëve në çerdhe dhe në shkolla. Punëtorët e pastrimit nuk kanë marrë paga prej dy muajsh. Stafi i Ndërmarrjeve po punojnë pa pagesë. Mijëra punëtorë të kompanive që kanë kontrata me Komunën janë pa paga dhe projektet nuk po ecin përpara.
Edhe më rëndë se kaq, po rrezikohen shërbime thelbësore për qytetarët:
• furnizimi me rrymë dhe ujë në shkolla, në çerdhe, në QMF dhe në institucionet e tjera publike
• mbështetja për fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe për fëmijët me nevoja të veçanta
• ndihma për nënat vet ushqyese dhe për gratë viktima të dhunës
• subvencionet për veteranët dhe për invalidët e luftës
• trajtimi i personave me sëmundje kronike si kanceret
• funksionimi i qendrave të mjekësisë familjare dhe i emergjencave
• furnizimi i çerdheve publike me ushqim dhe materiale bazë
• mirëmbajtja minimale e shkollave
• shërbimet sociale për të moshuarit, e shumë të tjera.
Kjo është pasojë direkte e vendimit të këtyre uzurpatorëve.
Prishtina po dënohet padrejtësisht nga njerëz të papërgjegjshëm!
Kosova s’ka nevojë për politikanë që dërmojnë shtetin me destruktivitet e në dëm të qytetarëve!/lajmi.net/