Tubimi i Kurtit dhe Pecit në Bajgorë, vetëm pak orë para votimit – PZAP e gjobit 2500 euro VV-në

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka goditur Lëvizjen Vetëvendosje me një gjobë prej 2,500 euro, duke konstatuar se tubimi elektoral i mbajtur në Bajgorë me pjesëmarrjen e Albin Kurtit dhe Faton Pecit ishte i kundërligjshëm. Vendimi, me numër ZL.Anr.430/2025, është marrë më 9 nëntor 2025, pas ankesës së dorëzuar nga Partia Demokratike e…

Lajme

13/11/2025 17:52

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka goditur Lëvizjen Vetëvendosje me një gjobë prej 2,500 euro, duke konstatuar se tubimi elektoral i mbajtur në Bajgorë me pjesëmarrjen e Albin Kurtit dhe Faton Pecit ishte i kundërligjshëm.

Vendimi, me numër ZL.Anr.430/2025, është marrë më 9 nëntor 2025, pas ankesës së dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Sipas PZAP-it, LVV ka shkelur Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, duke organizuar një aktivitet elektoral jashtë rregullave të përcaktuara për fushatën, transmeton lajmi.net.

Në ankesën e PDK-së thuhej se më 8 nëntor, në shkollën e fshatit Bajgorë të Mitrovicës, Vetëvendosje kishte zhvilluar një takim elektoral me kandidatin për kryetar të komunës, Faton Peci, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të partisë — në kundërshtim të plotë me periudhën e heshtjes zgjedhore.

Pas shqyrtimit të provave, paneli i përbërë nga Skender Çoçaj (kryesues), Kymete Kicaj dhe Arsim Hamzaj, e vlerësoi ankesën e PDK-së si të bazuar, duke urdhëruar LVV-në të paguajë gjobën brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit.

Ky është një ndër rastet e rralla kur PZAP vendos masa ndëshkuese ndaj partisë në pushtet, duke dhënë një mesazh të qartë: edhe pushteti duhet t’i nënshtrohet rregullave të lojës gjatë fushatës./lajmi.net/