Operacion ndërkombëtar “STREAM” – Arrestohet në Tiranë 29-vjeçari që shpërndante materiale pornografike me të mitur

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses një operacion të rëndësishëm kundër përhapjes së materialeve pornografike që përfshijnë të mitur, duke arrestuar një 29-vjeçar në Tiranë. Arrestimi u krye në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, transmeton lajmi.net. Operacioni është…

Lajme

13/11/2025 17:37

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses një operacion të rëndësishëm kundër përhapjes së materialeve pornografike që përfshijnë të mitur, duke arrestuar një 29-vjeçar në Tiranë.

Arrestimi u krye në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, transmeton lajmi.net.

Operacioni është pjesë e aksionit policor ndërkombëtar të koduar “STREAM”, që synon luftimin e shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet. Në këtë aksion morën pjesë agjenci ligjzbatuese nga 35 shtete, nën drejtimin e Policisë Kriminale të Bavarisë dhe Zyrës Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimit Kibernetik (ZCB), me mbështetjen e EUROPOL-it.

Pas informacioneve të siguruara nga autoritetet gjermane dhe EUROPOL-i, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale kreu veprimet hetimore që çuan në identifikimin dhe arrestimin e 29-vjeçarit.

Policia e Shtetit thekson se mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi në internet mbetet prioritet absolut dhe u bën thirrje qytetarëve, prindërve dhe të rinjve që të raportojnë çdo rast të dyshuar të shpërndarjes, prodhimit apo konsumimit të materialeve pornografike me të mitur, si dhe çdo formë tjetër abuzimi seksual online në kanalet zyrtare të komunikimit të Policisë së Shtetit: në adresën e emailit [email protected], në numrin e telefonit +355 69 415 5552, ose përmes portalit online https://asp.gov.al/denonco-krimin-kompjuterik/.

Policia garanton anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm për çdo sinjalizim që lidhet me abuzimin apo shfrytëzimin e të miturve në internet./lajmi.net/