Apeli hudh ankesën e mbrojtjes kundër vendimit që pranoi deklaratën e një dëshmitari për të cilin u konstatua që s’dëshmoi për shkak të ndikimit ndaj tij

Gjykata e Apelit e Speciales në Hagë e ka refuzuar ankesën e mbrojtjes ndaj vendimit të trupi gjykues për të pranuar në prova dëshminë e një dëshmitari ndaj të cilit ishte konstatuar se është ushtruar ndikim dhe si rezultat nuk dëshmoi në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep ka thënë…

Lajme

13/11/2025 16:18

Gjykata e Apelit e Speciales në Hagë e ka refuzuar ankesën e mbrojtjes ndaj vendimit të trupi gjykues për të pranuar në prova dëshminë e një dëshmitari ndaj të cilit ishte konstatuar se është ushtruar ndikim dhe si rezultat nuk dëshmoi në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep ka thënë se sipas Rregullës 155, trupi gjykues mund të pranojë në formë të shkruara deklaratat e ndonjë dëshmitarit nëse konstatohet se mosdhënia e dëshmisë së tij është ndikuar nga ndonjë faktor i paligjshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Si rrjedhojë, Paneli i Apelit ka konstatuar se shkalla e parë nuk gaboi kur pranoi në prova dëshminë e këtij dëshmitari duke ritheksuar se pesha e saj do jepet në fund të procesit bazuar në tërësinë e provave.

“Në veçanti, Paneli i Apelit rikujtoi se Rregullorja nuk i lejon trupit gjykues të bazojë verdiktin e fajësisë vetëm, ose në masë vendimtare, në provat e një dëshmitari që mbrojtja nuk ka pasur mundësinë ta marrë në pyetje”, tha Griep.

Zëdhënësja gjithashtu tregoi se në këtë rast është hedhur poshtë një apelim i mbrojtjes së Hashim Thaçit kundër një vendimi të trupit gjykues i cili nuk pranoi pesë deklarata të mëparshme me shkrim të një dëshmitari. Ato ishin paraqitur për pranim nga mbrojtja gjatë marrjes në pyetje të një dëshmitari të thirrur nga Prokuroria.

“Vendimi u bazua në parimin se deklaratat e dëshmitarëve mund të pranohen vetëm sipas procedurave të përcaktuara në Rregullat 153 deri 155, përveç nëse pala kundërshtare pajtohet me pranimin e provave. Paneli i Apelit konstatoi se vendimi i trupit gjykues ishte në përputhje me kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara ose me jurisprudencën e tribunalëve penalë ndërkombëtarë”, tha Griep.

Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kunder administrimit të drejtësisë, Griep tregoi se më 12 tetor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake bëri kalimin zyrtar të dosjes së çështjes tek gjyqtari i vetëm.

Griep tregoi se në të njëjtin rast, gjykatësja miratoi pjesërisht një kërkesë të Prokurorisë në lidhje me materialin e sekuestruar në objektin e paraburgimit.

Sipas saj, mbrojtësja e pavarur që u caktua për të vlerësuar nëse materiali në fjalë kishte përmbajtje ligjërisht të privilegjuar, kishte njoftuar gjykatësen e procedurës paraprake dhe palët se nuk e njeh mjaftueshëm kontekstin e materialit për të vendosur nëse informacioni është i privilegjuar. Për këtë arsye, Griep tregoi se Prokuroria kërkoi që materiali të shqyrtohej nga vetë gjykatësja e procedurës paraprake.

“Në vendimin e saj, gjykatësja e procedurës paraprake konstatoi se në vend që materiali të shqyrtohej prej saj, detyra duhet t’i mbetej mbrojtëses së pavarur. Për t’i dhënë mbrojtëses së pavarur kontekstin e nevojshëm, ajo urdhëroi mbrojtjen e Thaçit që të dorëzojë informacionin relevant. Ajo urdhëroi gjithashtu Administratoren që t’i japë mbrojtëses së pavarur qasje në informacion tjetër që lidhet me kontekstin. Gjykatësja e procedurës paraprake urdhëroi mbrojtësen e pavarur ta dorëzojë raportin më së voni më 17 dhjetor”, tha Griep.

Zëdhënësja tha se gjyqtarja e procedurës paraprake miratoi një kërkesë të Prokurorisë për t’i kërkuar mbrojtëses së pavarur të nxjerrë informacion shtesë nga telefoni i sekuestruar i Kuçit.

Sipas saj, gjykatësja theksoi se mbrojtja e Kuçit nuk e kundërshtoi kërkesën dhe konstatoi se veprimi që kërkohet përfshihet në kuadër të kontrollimit dhe sekuestrimit të autorizuar më parë. Si rrjedhojë, ajo urdhëroi mbrojtësen e pavarur të kryejë veprimin e kërkuar dhe t’ia dorëzojë Prokurorisë rezultatet deri më 5 dhjetor 2025.

Në këtë rast, po ashtu ishte vendosur të bëhej e disponueshme për Prokurorinë lista me emrat e materialeve të sekuestruara në objektin e paraburgimit.

“Në disa raste, gjykatësja e procedurës paraprake e gjykoi të domosdoshme që emrat e tyre të redaktoheshin, për të parandaluar qasjen nga Prokuroria në informacion të privilegjuar. Gjykatësja e procedurës paraprake urdhëroi Prokurorinë që kërkesa të tjera që mund të ketë për qasje në materialin e ruajtur, t’i dorëzojë brenda një jave dhe i kërkoi mbrojtjes së Thaçit që të përgjigjet, nëse dëshiron, brenda një jave. Krahas këtyre vendimeve, disa vendime që më parë ishin klasifikuar si konfidenciale, u bënë publike këtë javë”, tha Griep.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.