Policia Kufitare e Kosovës në Kroaci për shkëmbim përvojash
Përfaqësuesit e Policisë Kufitare të Kosovës realizuan një vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë, me qëllim të shkëmbimit të përvojave profesionale dhe njohjes së drejtpërdrejtë me praktikat më të avancuara në fushën e menaxhimit modern të kufirit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e Kosovës në Zagreb njofton se gjatë vizitës, përfaqësuesit e institucioneve…
Lajme
Përfaqësuesit e Policisë Kufitare të Kosovës realizuan një vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë, me qëllim të shkëmbimit të përvojave profesionale dhe njohjes së drejtpërdrejtë me praktikat më të avancuara në fushën e menaxhimit modern të kufirit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e Kosovës në Zagreb njofton se gjatë vizitës, përfaqësuesit e institucioneve partnere diskutuan mbi teknologjitë bashkëkohore të kontrollit kufitar, qasjet e integruara të monitorimit dhe përvojën kroate si shtet anëtar i Bashkimit Evropian në menaxhimin e kufijve të jashtëm.
“U trajtuan gjithashtu praktikat më të mira të bashkëpunimit ndërkufitar, procedurat e koordinimit ndërinstitucional dhe modelet efektive të veprimit që Kroacia i aplikon me sukses në kontekstin e sigurisë rajonale dhe evropiane”, thuhet në postim.
Vizita, nga pjesëmarrësit, u cilësua jashtëzakonisht e frytshme dhe me rëndësi të veçantë profesionale, duke u rezultuar në shkëmbim të dobishëm të njohurive, harmonizim të qasjeve operacionale dhe thellim të bashkëpunimit ndërmjet Policisë Kufitare të Republikës së Kosovës dhe Policisë Kufitare të Republikës së Kroacisë.
Tutje, bëhet e ditur se ky dialog i vazhdueshëm mbetet një shembull i angazhimit të të dyja palëve për të avancuar standardet e sigurisë dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme partneriteti në shërbim të interesit të përbashkët.
Ndryshe, delegacioni u prit në Ambasadën e Kosovës në Zagreb nga ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj, i cili i njoftoi mysafirët me rëndësinë strategjike të bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe menaxhimit kufitar.