Rreth 900 pacientë me Hemodializë rrezikojnë jetën, si shkak i problemeve të Prokurimit të SHSKUK-së dhe kompanisë “Medicom”
Raportime të shumta pati ditëve të fundit në lidhje me gjendjen e pacientëve të cilët marrin trajtimin e Hemodializës. Si filli u raportua se pacientëve në Gjilan dhe në Mitrovicë iu shkurtua koha e marrjes së terapisë nga 4 orë në dy orë, e më pas u raportuan edhe probleme të shumta që lidheshin me…
Lajme
Raportime të shumta pati ditëve të fundit në lidhje me gjendjen e pacientëve të cilët marrin trajtimin e Hemodializës.
Si filli u raportua se pacientëve në Gjilan dhe në Mitrovicë iu shkurtua koha e marrjes së terapisë nga 4 orë në dy orë, e më pas u raportuan edhe probleme të shumta që lidheshin me furnizim.
E rreth 900 pacientë të cilët varen çdo ditë nga trajtimi me Hemodializë rrezikojnë jetën e tyre, për shkak të mungesës së materialeve esenciale për trajtimin e tyre në QKUK, por edhe në spitalet regjionale të vendit.
Zyra e Prokurimit të SHSKUK-së më 7 nëntor 2025 ka nënshkruar një kontratë emergjente për furnizim me material të hemodializës me kompaninë “Medicom”, me afat dorëzimi për 24 orë pas nënshkrimit të kontratës.
Por, pavarësisht urgjencës së situatës dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për pacientët, verifikimi paraprak i sasisë së materialit në depon e kompanisë një procedurë e detyrueshme sipas Ligjit për Prokurimin Publik në raste emergjente nuk është kryer fare.
E siç raportoi Frontonline, një pjesë shumë e vogël e materialeve është dorëzuar me vonesë, por të njëjtat nuk përputhen me specifikat e dosjes së këtij tenderi për furnizim emergjente.
Edhe më shqetësuese është fakti se materialet e dërguara rezultojnë të jenë prodhuar në Turqi pikërisht në ditën kur kompania “Medicom” ka nënshkruar kontratën emergjente me SHSKUK-në, duke ngritur dyshime serioze mbi origjinën, cilësinë dhe qëllimin e këtij furnizimi të ngutshëm.
Për shkak të mosrespektimit të afateve ligjore dhe dorëzimit të materialeve jo të përshtatshme, SHSKUK-ja më 11 nëntor ka ndërprerë kontratën me kompaninë “Medicom”.
Ndërkohë, qindra pacientë në të gjitha qendrat e Hemodializës janë lënë, apo trajtuar sipërfaqësisht sa për që u mbajtë gjallë.
Ky rast ka hapur dyshime të forta për keqpërdorim të pozitës zyrtare, favorizim të operatorëve privatë dhe shkelje flagrante të procedurave emergjente.
Në lidhje me këtë çështje, SHSKUK pati një deklarim ku u tha se janë në pritje të realizimit të kontratave për furnizim me materiale.
Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, sërish duke mohuar mungesën e materialeve, Shërbimi Spitalor deklaroi se shërbimet e dializës nuk janë ndalur dhe se pacientët po e marrin trajtimin e tyre të rregullt, në QKUK, por edhe spitalet e përgjithshme.
“Për momentin, ka material të mjaftueshëm për zhvillimin e seancave dhe nuk ka pasur asnjë vonesë në ofrimin e shërbimeve. SHSKUK, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që furnizimi të stabilizohet plotësisht”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.
Kurse kompania “Medicom” ka deklaruar se dy ditë më parë, më 11 nëntor, pranoi vendimin e SHSKUK-së për ndërprerje të kontratës kornizë për furnizim me material për dializë.
“Medicom beson se ndërprerja e kontratës për materiale të dializës nga SHSKUK-ja është tërësisht e paligjshme dhe ka qenë e ndikuar nga interesat biznesore, të cilat dëshmohen nga komunikimet e brendshme të cilat vet SHSKUK-ja i ka bashkëngjitur vendimit për ndërprerjen e kontratës. Për këtë arsye, ne si Medicom do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të kompensuar dëmet e shkaktuara nga këto vendime të paligjshme” deklaroi Medicom.
Kompania në fjalë ka deklaruar se në dy tenderët emergjentë, me datë 31 tetor dhe 6 nëntor, kanë ofertuar tender shumë më të lirë në krahasim me kompaninë tjetër konkurruese.
“Menjëherë pas nënshkrimit të Kontratës ditën e premte me 7 Nëntor, Medicom ka pranuar urdhër blerjen në orën 13:30 dhe ka bërë furnizimin e rregullt me bikarbonat për atë ditë. Produktet tjera janë shpërndarë në të gjitha qendrat e dializës në Kosovë ditën e hënë (duke liferuar 25% të urdhër blerjes e cila e eviton emergjencën dhe mundëson funksionimin për rreth 10 ditë, me dërgesat shtesë veçse në rrugë, të konfirmuara për mbërritje në Prishtinë pas 3 dite)” deklaron Medicom.
Medicom pretendon se ka njoftuar SHSKUK-në për furnizim në të gjitha qendrat e dializës, me material të mjaftueshëm për rreth 10 ditë.
“Pak orë pas pranimit të këtij e-mail dhe njoftimit nga Medicom, SHSKUK-ja menjëherë e dërgon vendimin për ndërprerjen e kontratës. Si duket, qëllimi është të rikthehen materialet e Medi Health me çmime abuzive, dhe duhej parandaluar Medicom që të përmbushte të gjitha furnizimet” deklaron Medicom.
Nga kjo kompani thonë se vendimi i SHSKUK-së tregon ndikim të paligjshëm biznesor dhe se ndërmarrja e masave ndaj tyre janë jashtë rregullave dhe kompetencave të drejtorit të Shërbimit Spitalor./Lajmi.net/
