​Punëtorët e RTK-së protestojnë për pagat – paralajmërojnë grevë nga e hëna

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës kanë mbajtur sot protestën e tretë për këtë vit, duke kërkuar pagat e tyre që ende nuk i kanë marrë. Gëzim Bimbashi tha se kjo është protesta e tretë për këtë vit, por për fat të keq asgjë nuk ka ndryshuar nga hera e kaluar. Ai shtoi se gjendja…

Lajme

13/11/2025 13:44

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës kanë mbajtur sot protestën e tretë për këtë vit, duke kërkuar pagat e tyre që ende nuk i kanë marrë.

Gëzim Bimbashi tha se kjo është protesta e tretë për këtë vit, por për fat të keq asgjë nuk ka ndryshuar nga hera e kaluar. Ai shtoi se gjendja në RTK është përkeqësuar, institucionet po heshtin dhe mbi 700 familje të punonjësve po përballen me vështirësi ekonomike. Bimbashi kërkoi nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të ndërhyjë menjëherë për ta zgjidhur situatën.

Kjo është protesta jonë e 3-të për këtë vit dhe për fat të keq nuk ka ndryshuar asgjë nga hera e kaluar, gjendja në RTK është përkeqësuar ndërsa institucionet vazhdojnë të heshtin mbi 700 familje të punonjësve tanë në RTK po përballen çdo ditë me problemet me mbijetesë, presione nga bankat vështirësi për t’i paguar faturat e energjisë ankth i përditshëm për të ardhmen kjo nuk është më krizë ekonomike është krizë e identitetit. Mos i fusni punëtorët e RTK-së në beteja politike ne nuk jemi pjesë e asnjë partie jemi puntorë, kërkojmë atë që na takon me ligj, deri më sot kemi dëgjuar vetëm deklarata, por asnjë veprim konkret, prandaj i bëjmë thirrje publike kryeministrit në detyrë, Kurti që të veproj ashtu si herën e kaluar dhe të mundësojë zgjidhjen e menjëhershme të situatës. Greva do të filloj nga dita e hënë në të gjithë Radio Televizionin e Kosovës, greva do të fillojë nga ora 11:00 deri në orën 12:00. Kërkojmë nga kolegët e RTK-së që nga kjo orë të mos punohet asgjë. Ka kolegë tonë të cilët nuk po munden të vijnë në punë sepse nuk ka financa e pa financa nuk munden as të lëvizin vijnë nga Mitrovica nga Gjilani nga e gjithë Kosova…. Situatë më të rënduar në televizionin e RTK-së nuk ka pasur ndonjëherë”, tha Gëzim Bimbashi

Fisnik Dërguti, anëtar i kryesisë, tha se sot punëtorët e RTK-së nuk kërkojnë luks apo privilegje, por vetëm atë që u takon, pagën për punën që bëjnë. Ai i bëri thirrje institucioneve dhe kryeministrit në detyrë që të dëgjojnë zërin dhe shqetësimet e punëtorëve.

“I bëj thirrje publike punëdhënësve institucioneve, Qeverisë, kryeministrit në detyrë që ta dëgjojë këtë… Se në demokraci thuhet shpesh thuhet le të flitet, por demokracia e vërtetë është kur dëgjohet zëri i punëtorit kur dëgjohet brenga e tij dhe kur dëgjohet dhe respektohet kërkesa e tij për të drejtën. Sot nuk kërkojmë as luks as privilegje sot kërkojmë atë që është e drejtë sot kërkojmë pagën për punën që në e bëjmë”, tha Dërguti

Rrahman Jasharaj nga SBASHK tha se kryeministri dhe ministri i Financave po tregojnë të njëjtin inat ndaj punëtorëve të RTK-së si në shtator ndaj tyre. Ai theksoi se ashtu siç u gjetën para për studentët dhe pensionistët, duhet të gjenden edhe për RTK-në dhe 700 punëtorët e saj.

Sipas tij, kërkesa për pagë nuk është privilegj, por e drejtë themelore, sepse pa pagë është e vështirë të përballesh me jetesën dhe çmimet e larta.

“Unë po them mirë që u gjetën parat për studentë, mirë që u gjetën parat për pensionistët në këtë mënyrë është dashur të gjinden edhe për RTK-në dhe 700 punëtorët e tyre. Mos gjetja e mjeteve të tyre tregon se kryeministri dhe ministri i Financave kanë inatin që e kanë bërë edhe ndaj nesh në shtator…Të kërkosh pagë nuk është privilegj nuk është lutje për të jetuar. Pa pagë është vështirë të përballet një punëtor nga këtu me çmime kaq të larta ju priftë e mbara SBASHK-u do të jetë gjithmonë me ju”, tha ai.

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë dalë sot sërish në protestë para ndërtesës së televizionit publik, duke kërkuar pagesën e pagave të prapambetura dhe respektimin e të drejtave të tyre ligjore. Kjo është protesta e tretë për këtë vit, ndërsa, sipas punëtorëve, gjendja ekonomike dhe menaxheriale në institucion është përkeqësuar.