Bislimi e njofton BE-në për bllokimin e fondeve nga Serbia për shqiptarët e Luginës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, lidhur me një çështje që ai e ka cilësuar si “pengesë sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”. Sipas Bislimit, 3,650 nxënës shqiptarë në Luginë po përdorin 35,448 tekste shkollore të financuara nga…

Lajme

13/11/2025 12:24

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, lidhur me një çështje që ai e ka cilësuar si “pengesë sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”.

Sipas Bislimit, 3,650 nxënës shqiptarë në Luginë po përdorin 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), raporton lajmi.net

Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë përmbushur në kohë të gjitha detyrimet ligjore dhe institucionale për këtë mbështetje.

Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin e KKSH-së, është bllokuar tri herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Bislimi ka bërë të ditur se në të gjitha rastet, transferet janë refuzuar pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore.

“Kjo nuk është një çështje teknike, por një model i qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë,” ka deklaruar Bislimi.

Postimi i plotë:

Sot kam njoftuar z. Peter Sørensen, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, lidhur me një çështje serioze që tashmë ka marrë karakter të pengesës sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
3,650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Qeveria jonë ka zbatuar plotësisht dhe në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale.
Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore.
Pra ky nuk është gabim teknik. Kjo paraqet një model të qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë.
E njëjta qasje është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të KKSH-së për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë, pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht. Këto veprime nuk janë raste të izoluara, por tregues të një qasjeje të strukturuar të pengimit administrativ.
Institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Evropian të gjitha provat dokumentare: komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare.
Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por nuk mund të qëndrojë indiferente kur mekanizmat administrativë përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë./Lajmi.net/