“Ka punonjës që nuk kanë mundësi të blejnë barnat e nevojshme” – Sindikata e RTK-së i kërkon Presidentes Osmani ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e buxhetit
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Presidentes Vjosa Osmani për ndërhyrje urgjente në zgjidhjen e krizës financiare që ka përfshirë RTK-në. Në letrën e dërguar sot, Sindikata thekson se institucioni publik “ndodhet në kolaps financiar”, ndërsa punëtorët “nuk kanë marrë pagat e tyre për disa…
Lajme
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Presidentes Vjosa Osmani për ndërhyrje urgjente në zgjidhjen e krizës financiare që ka përfshirë RTK-në.
Në letrën e dërguar sot, Sindikata thekson se institucioni publik “ndodhet në kolaps financiar”, ndërsa punëtorët “nuk kanë marrë pagat e tyre për disa javë”, transmeton lajmi.net
“RTK tash e disa javë ndodhet në kolaps financiar, ndërsa punëtorët nuk kanë marrë pagat e tyre. Kjo gjendje po reflekton rëndë në jetën e qindra familjeve që varen nga ky institucion publik”, thuhet në letrën drejtuar Presidentes Osmani.
Sipas Sindikatës, disa punëtorë tashmë “nuk kanë mundësi të blejnë barnat e nevojshme, përballen me vështirësi për ushqim e qira, ndërsa bankat kanë filluar presione për pagesën e kredive”.
SPERTK i kërkon Presidentes që “brenda kompetencave kushtetuese dhe politike të ndërhyjë menjëherë për zhbllokimin e buxhetit të RTK-së dhe garantimin e funksionimit normal të këtij institucioni publik e të pavarur”.
Sindikata shprehet se pret “angazhim konkret dhe të menjëhershëm për të shmangur një krizë sociale që po thellohet dita-ditës”.
Letra e plotë:
KRYESIA E SINDIKATËS SË PUNËTORËVE TË RTK-së (SPERTK)
Prishtinë, më 11 nëntor 2025
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës,
Znj. Vjosa Osmani,
Lënda: Kërkesë për ndërhyrje urgjente lidhur me buxhetin e RTK-së
E nderuar Presidente,
Duke u bazuar në deklaratën tuaj të sotme, ku shprehët gatishmërinë që si Presidente të propozonit në Kuvend alokimin e buxhetit për Radio Televizionin e Kosovës, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ju drejtohet me këtë kërkesë për ndërhyrje dhe zgjidhje urgjente të kësaj situate tejet të rënduar.
RTK tash e disa javë ndodhet në kolaps financiar, ndërsa punëtorët nuk kanë marrë pagat e tyre. Kjo gjendje po reflekton rëndë në jetën e qindra familjeve që varen nga ky institucion publik. Ndër ta, ka punonjës që nuk kanë mundësi të blejnë barnat e nevojshme, që përballen me vështirësi për ushqim, qira e pagesa bazike, dhe që tashmë ndihen të harruar nga institucionet e vendit.
Gjendja është bërë edhe më e rëndë pasi bankat kanë filluar presione ndaj punëtorëve për pagesën e kësteve të kredive, ndërkohë që ata nuk kanë marrë asnjë të ardhur mujore.
E nderuar Presidente,
Ju lutemi që brenda kompetencave tuaja kushtetuese dhe politike të ndërhyni menjëherë për të ndihmuar në zhbllokimin e buxhetit të RTK-së dhe për të garantuar funksionimin normal të këtij institucioni publik e pavarur, që ka rëndësi jetike për informimin e qytetarëve dhe për demokracinë e vendit.
Ne, si Sindikatë shpresojmë se angazhimi juaj konkret dhe i menjëhershëm, do të shmangë një krizë sociale që po thellohet dita-ditës.
Me respekt të lartë,
KRYESIA E SINDIKATËS SË PUNËTORËVE TË RTK-së (SPERTK)
Prishtinë./lajmi.net/