Prokuroria urdhëron rifillimin e numërimit të fletëvotimeve në QKN në Mitrovicë – Cakton dy hetues të jenë prezent deri të përfundoj procesi

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka urdhër Komisionin Komunal Zgjedhor, që të rifilloj procesin e numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale në Komunale e Mitrovicës së Jugut. Prokuroria ka thënë se ky urdhër ka ardhur pasi kompania “CETIS”, ka sqaruar se problemi i numërimit ka ndodhur ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë,…

Lajme

11/11/2025 14:10

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka urdhër Komisionin Komunal Zgjedhor, që të rifilloj procesin e numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale në Komunale e Mitrovicës së Jugut.

Prokuroria ka thënë se ky urdhër ka ardhur pasi kompania “CETIS”, ka sqaruar se problemi i numërimit ka ndodhur ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, dhe kanë thënë se marrin përgjegjësi për këtë gabim, e që sipas tyre, në rrethana normale do të ishte i pamundur të ndodhte.

“Sidoqoftë, për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit të fletë votimeve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë tërë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, dje menjëherë ka ndaluar procesin e rinumërimit për shkak të raportimit për parregullsi.

“Për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletëvotime”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës, në një sqarim publik, tha se bëhet fjalë për një gabim teknik nga kompania sllovene që ka shtypur fletëvotimet.

KQZ-ja pohoi se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve për Mitrovicën e Jugut dhe Gjakovën u gabua në shtypjen e kodit të vendvotimit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila ka pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile. Kompania ka konfirmuar se në ditët në vijim do të përgatisë sqarim zyrtar lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e KQZ-së, duke shtuar se fletëvotimet nuk mund të falsifikohen, e as të kopjohen.

Numërimi nuk do të rinisë, derisa organet e rendit të kenë një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletëvotimet.

Më vonë gjatë ditës së martë, KQZ-ja bëri të ditur se e ka pranuar një sqarim zyrtar nga kompania përgjegjëse, CETIS, lidhur me disa gabime të evidentuara në disa fletëvotime në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.

KQZ-së i është thënë se kompania ka zhvilluar hetim të plotë dhe që përgjatë procesit është kuptuar që “problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes”.

“CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e kompanisë.

Sot, PDK ka kërkuar rivotim në Mitrovicë të Jugut për shkak të dyshimeve për parregullsi në procesin e votimit në këtë komunë. Dje gjatë rinumërimit të fletëvotimeve në QKN në Mitrovicë, janë hasur fletëvotime me numra serik që nuk i përkisnin vendvotimit.

Deputeti i PDK-së, Perparim Gruda përmes një konference për media ka deklaruar se edhe nëse do të ishte gabim teknik, ky problem duhet të sanohet, dhe sanimi i vetëm është rivotimi në Komunën e Mitrovicës. /Lajmi.net/