“Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në”- Gjithçka çfarë dëshmoi Hill dje në Speciale
Hill dëshmoi për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për bisedimet në Rambuje. Gjatë dëshmisë së tij, diplomati i pensionuar amerikan tha se Hashim Thaçi nuk kishte rol vendimmarrës dhe se ai nuk e drejtonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se…
Lajme
Hill dëshmoi për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për bisedimet në Rambuje.
Gjatë dëshmisë së tij, diplomati i pensionuar amerikan tha se Hashim Thaçi nuk kishte rol vendimmarrës dhe se ai nuk e drejtonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tha se Thaçi nuk ishte në gjendje të merrte vendime në emër të UÇK-së në bisedimet në Rambuje dhe se ai nuk ishte komandat, por “i duhej t’i pyeste komandantët në Kosovë për të dhënë një qëndrim”.
Hill dëshmoi për takimin e tij të parë me Thaçin gjatë vitit 1998, duke e përshkruar atë si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.
“Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”.
Ai gjithashtu e përshkroi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë pa strukturë vertikale dhe pa organizim hierarkik.
Si një i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë gjatë luftës, Hill tha se e kishte shumë të vështirë ta gjente një njeri të vetëm që do të fliste në emër të UÇK-së.
Ndërkohë, Hill gjithashtu foli edhe për ish-presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe partinë e udhëhequr nga ai, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ai dëshmoi se UÇK-ja nuk donte që Rugova të ishte zëri i Kosovës.
“Në vend që Ibrahim Rugova të ishte zëri i Kosovës, ata donin që vetë të ishin zëri i Kosovës. Mendoj që zëvendësimi i Rugovës si zëri i Kosovës dhe që vetë ata të flisnin për pavarësimin e Kosovës, ishte ndër synimet e tyre”, tha Hill.
Për më tepër, Hill tha se takimin mes Rugovës dhe presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998 në Beograd, e nxiti SHBA-ja.
“Kur ambasadori [Richard] Holbrooke shkoi në Prishtinë, unë isha me të, dhe u ulëm me presidentin Rugova. Edhe pse nuk e kishim diskutuar këtë paraprakisht, ambasadori Holbrooke tha se ishte ide e mirë nëse Rugova do ta takonte Millosheviqin në Beograd, sepse mendonte se ky takim do të zgjidhte shumë probleme”.
“Unë isha shumë skeptik”, tha Hill.
Hill: Thaçi nuk ishte personi që e përshkroi Millosheviqi
Hill u pyet nga mbrojtja për pretendimet e udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, lidhur me Hashim Thaçin gjatë një takimi mes tyre në vjeshtën e vitit 1998.
Avokati Misetiq e pyeti Hillin nëse Thaçi ishte “luftëtar i madh dhe kishte marrë pjesë në vrasje” siç pretendonte Millosheviq, gjë të cilën diplomati amerikan e mohoi.
“Jo vetëm që unë vlerësova që Thaçi nuk ishte ai person që e përshkruante Millosheviqi, por nuk e kisha dëgjuar këtë gjë nga askush dhe mendoj se është e rëndësishme që kuptohet e gjitha, sepse gjatë gjithë asaj kohe unë kam qenë në kontakt me presidentin Ibrahim Rugova, dhe ai kishte mundësi të shumta t’i denonconte njerëzit me emër, por nuk e ka bërë”, tha Hill.
Hill: Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në
Tani Hill dëshmoi për takimin e tij të parë me Hashim Thaçin gjatë vitit 1998, duke e përshkruar atë si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.
“Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”, tha Hill për takimin e parë me Thaçin.
I pyetur nëse kishte përshtypjen nëse Thaçi ishte person që kontrollonte UÇK-në, Hill thekoi se nuk kishte bazë për një gjë të tillë.
“Ai ishte në mesin e tre personave që erdhën, të cilët i takova. Por, nuk mu krijua përshtypja se ai ishte një person që në kishte kontroll këtë organizatë të madhe, ose që drejtonte atë. Nuk kishte asnjë bazë për këtë”, dëshmoi ai.
Hill thotë se UÇK-ja donte që ajo të ishte zëri i Kosovës, jo Rugova
I pyetur nga mbrojtja se cilat ishin synimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hill tha se ajo donte që vetë UÇK-ja të ishte zëri i Kosovës dhe jo Ibrahim Rugova.
“UÇK-ja donte të punonte me Shtetet e Bashkuara sepse mendonte se ato mund t’i ndihmonin Kosovës ta fitojë pavarësinë afatmesme”, tha Hill.
“Mu krijua përshtypja se ata nuk donin të punonin me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ata bënë çfarë mundën që ta prishnin reputacionin e LDK-së”.
“Në vend që Ibrahim Rugova të ishte zëri i Kosovës, ata donin që vetë të ishin zëri i Kosovës. Mendoj që zëvendësimi i Rugovës si zëri i Kosovës dhe që vetë ata të flisnin për pavarësimin e Kosovës, ishte ndër synimet e tyre”, shtoi ai.
I pyetur nëse UÇK-ja e kishte synim përfundimtar ta udhëhiqte Kosovën, Hill u përgjigj: “Nuk e kam dëgjuar këtë konkretisht, por çfarë kam dëgjuar se ata donin autonomi dhe të ishin të pavarur”.
Hill: UÇK-ja nuk ishte strukturë me organizim hierarkik
I pyetur nga mbrojtja e Thaçit nëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte strukturë vertikale me organizim hierarkik, Hill tha “jo”.
Hill thotë se kontakti i tij i parë me UÇK-në ndodhi në verën e ’98-ës
Hill tha se kontakti i tij i parë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ndodhi në verën e vitit 1998 në Tiranë të Shqipërisë.
“Derisa po punoja me stafin tim dhe të tjerë, duhej të gjenim një zyrtar apo grup zyrtarësh të UÇK-së me të cilët mund të flisnim lidhur me UÇK-në. Duhet të shtoj se kam punuar për një kohë në këtë drejtim pa pasur sukses dhe arritëm në përfundim se nuk kishte një udhëheqje të tillë. Pra, këtu bëhej fjalë për një grup njerëzish në nivel vendor, që ishte përshkrim shumë më i saktë i asaj me të cilën po merreshim ne”, tha Hill, duke iu referuar UÇK-së.
Ai shtoi se në Tiranë takoi “dikë që na e kishin përshkruar si kreun e UÇK-së”.
“Unë dhe kolegët e mi erdhëm në përfundim se ai vepron brenda kësaj lëvizjeje, por nuk mund të flasë në emër të UÇK-së. Ne vazhduam punën për të gjetur njerëz që mund të flisnim si përgjegjës për këtë. Shkuam në verë dhe vjeshtë të ’98-ës në Likoc”, tregoi Hill.
Hill tha se nuk i kujtohej emri i personit të parë nga UÇK-ja me të cilin ishte takuar, por i kërkoi avokatit që e merrte në pyetje për t’i thënë ndonjë emër.
Avokati e pyeti nëse ishte Xhavit Haliti, dhe Hill i tha se “po”.