700 punëtorë në pritje të drejtësisë financiare
Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës kanë protestuar sërish para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës duke kërkuar pagën e muajit tetor. Ata morën mbështetjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, por ky i fundit u ballafaqua edhe me një kërkesë interesante nga punëtorët e radiotelevizionit publik. Protesta e organizuar nga Sindikata e Pavarur e…
Lajme
Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës kanë protestuar sërish para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës duke kërkuar pagën e muajit tetor. Ata morën mbështetjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, por ky i fundit u ballafaqua edhe me një kërkesë interesante nga punëtorët e radiotelevizionit publik.
Protesta e organizuar nga Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radios së Kosovës, ishte si reagim ndaj mosreflektimit të institucioneve përgjegjëse për transferimin e pjesës së dytë të buxhetit të RTK-së për vitin 2025, ndonëse sipas tyre, përbën detyrim ligjor për ekzekutim.
Sipas sindikatave, vonesat në transferimin e mjeteve buxhetore kanë krijuar një situatë të rëndë financiare për punëtorët e RTK-së, duke rrezikuar seriozisht mirëqenien e tyre dhe funksionimin normal të transmetuesit publik.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha është solidarizuar me punëtorët e RTK-së, duke thënë se mbi 700 punëtorë po presin pagat, derisa shtoi se i ka ftuar partitë që të bëjnë hapat e duhur.
“Si procedurë, kemi një Kuvendi funksional, kërkohet formimi i komisioneve, miratimi i raporteve dhe me miratimin e raporteve, Qeveria apo Ministria e Financave e bën ekzekutimin e fondeve, pra është procedurë krejt e thjeshtë me të njëjtin kërkesë e kam bërë edhe për buxhetin e komunave për buxhetin vjetor, por sa i përket RTK-së, krejt çka kërkohet është brenda ditës ne mund të mblidhemi, t’i themelojmë komisionet parlamentare, në këtë rast vetëm komisionin për buxhet, miratohet raporti dhe brenda ditës ekzekutohen mjetet për pagat e punëtorëve “, tha ai.
Ndërkohë, njëra nga punëtoret e RTK-së pyeti Bashën nëse mund të refuzojë pagën në shenjë solidarizimi me punëtorët e RTK-së.
“Anologjia jote ka arsye derisa unë them se me ta bojkotuar edhe tënden, por derisa unë po kërkoj me marrë ti, ti po kërkon mos me marrë unë. S’ka lidhje kjo me pagën sa ka lidhje me ecurinë që deputet që kanë mandat funksional për të miratuar raportin dhe me i marrë pagat të gjithë punëtorët e RTK-së. Ajo ndoshta do të vlente vetëm për deputet që po refuzojnë“, tha ai.
Basha shtoi se nëse ka vullnet nga partitë politike, ai nesër e thërret seancën për themelimin e komisionit, ku tha se janë diku 56 vota i kanë por se i duhet edhe mbështetja e deputetëve të tjerë.
Kryetar i Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës, Pajazit Krasniqi, ka thënë se prej muajsh Radiotelevizioni i Kosovës po përballet me një situatë të rëndë: buxheti për pjesën e dytë të vitit 2025, ndonëse i miratuar me ligj, ende nuk është transferuar nga institucionet përgjegjëse.
“Buxheti për pjesën e dytë të vitit 2025, ndonëse i miratuar me ligj, ende nuk është transferuar nga institucionet përzgjedhëse. Edhe sot, kur kalendari shënon datën 10, ne punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës, ende nuk i kemi marrë pagat për muajin tetor. Kjo është hera e dytë që punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës, mbi 700 punëtorë, përballen me një situatë të tillë, dhe kjo situatë po ndodh në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme e të ngarkuar për punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës. Përkundër vështirësive dhe mungesës së pagave, stafi i RTK-së ka vazhduar me përkushtim realizimin e projekteve edhe madhore profesionale, si mbulimi i zgjedhjeve lokale dhe i balotazhit, përgatitja për mbulimin e zgjedhjeve të reja potenciale që tashmë po përmenden, realizimi i Festivalit të Këngës dhe shumë realizime të tjera, të gjitha këto janë projekte madhore me rëndësi kombëtare”, tha ai.
Kujtojmë se në RTK ekzistojnë tri sindikata që përfaqësojnë punëtorët e transmetuesit publik: Sindikata e Pavarur e RTK-së; Shoqata Sindikale e Radio Kosovës; dhe Sindikata e Punëtorëve të RTK-së.