PDK fitoi 6 komuna e 206 asamblistë, Gjoshi: Dëshmoi se është forca më e votuar dhe më e organizuar në nivel vendi
Sekretari për organizim dhe zgjedhje i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka shkruar pasi janë publikuar rezultatet preliminare të balotazhit të zgjedhjeve lokale në të gjitha komunat e vendit, proces të cilin ai ka thënë se PDK e mbyll me një rezultat të jashtëzakonshëm dhe domethënës për skenën politike të vendit. Ai ka thënë…
Lajme
Sekretari për organizim dhe zgjedhje i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka shkruar pasi janë publikuar rezultatet preliminare të balotazhit të zgjedhjeve lokale në të gjitha komunat e vendit, proces të cilin ai ka thënë se PDK e mbyll me një rezultat të jashtëzakonshëm dhe domethënës për skenën politike të vendit.
Ai ka thënë se PDK ka marrë 187 mijë e 526 vota, ka fituar në gjashtë komuna dhe 206 asamblistë, duke dëshmuar se është forca më e votuar dhe më e organizuar në nivel vendi.
“Ky rezultat është reflektim i besimit të qytetarëve, i punës së palodhshme në terren të mijëra aktivistëve të PDK-së dhe i lidershipit të partisë nën udhëheqjen e kryetarit Memli Krasniqi. Këto zgjedhje treguan se PDK është jo vetëm alternativa më serioze qeverisëse, por edhe forcë politike me vizion të qartë për Republikën e Kosovës. Rezultatet e PDK-së do të ishin edhe shumë më të mira, sikur gara të ishte e barabartë, e ndershme dhe sipas ligjit”, ka thënë Gjoshi.
Ai ka thënë se e tërë makineria shtetërore e uzurpuar dhe e mbajtur peng nga Albin Kurti dhe VV, ka qëndruar për dy muaj në Mitrovicë, për të shënuar një epërsi kaq të vogël në rezultat.
“A s’është kjo një dëshmi e mjaftueshme se qytetarët e Kosovës janë duke e njohur kaq mirë uzurpatorin?!”, ka pyetur Gjoshi.
Ai ka thënë se Ariani është modeli që përfaqëson PDK-në dhe që e ka bërë gjithë partinë krenar në këtë muaj.
“Ai ka prezantuar në mënyrë shembullore vlerat e një partie shtetformuese përballë një partie anti-shtet që qëndron paligjshëm në ndërtesën e Qeverisë së Kosoës. Nëse gara do të ishte e barabartë, qoftë për një ditë të vetme, Ariani sot do të ishte kryetari më i ri në Kosovë”, ka shkruar Gjoshi.
Ai ka thënë se në Kaçanik e Prizren, përveç xhipave të zinj të uzurpuar të shtetit të Kosovës, i kanë ftuar në ndihmë edhe “patericat e Mickoskit”, por që siç thotë ai Sabedin Vishi dhe Shaqir Totaj i mposhtën dy qeveri, atë të Kosovës dhe atë të Maqedonisë së Mickoskit.
Për rezultatin në Vushtrri, Sekretari për organizim dhe zgjedhje i PDK-së, Betim Gjoshi ka thënë se është një fitore përballë Albin Kurti, “kumbarës së koalicionit me një pazargji tjetër të radhës që e kishte peshkuar”.
“Në një vend normal demokratik, nuk mund të merren me mend pamjet e ditës së diel, ku dikush përdorë makinerinë shtetërore për të qarkulluar nëpër komuna dhe për të ushtruar presion mbi votuesit, duke ndikuar në procesin zgjedhore dhe duke minuar parimin themelor të zgjedhjeve të lira dhe të ndërshme. S’mund të merret me mend as pamja në mes të kryeqytetit të Kosovës e xhandarit Sveçla, që fotografoi një qytetar të Kosovës. Pamjet e ditës së zgjedhjeve i arsyeton vetëm paligjshmëria në të cilën noton Albin Kurti dhe Vetëvendojse, e që janë bërë përditshmëri për këtë kastë politike antishtetërore, por që kurrë s’do të bëhen pamje normale për qytetarët që e duan shtetin e Kosovës”, ka shtuar Gjoshi ndër të tjera.
Ai ka thënë se zgjedhjet e reja janë rruga e radhës për t’i larguar uzurpatorët e shtetit, që siç thotë ai sa ishin në opozitë historia i njeh si “kundërshtarë të Pavarësisë së Kosovës”, e në Qeveri si “uzurpatorë dhe parti anti-shtet që ia shkatërruan aleancat dhe duan ta bëjnë Kosovën shtet të dështuar”. /Lajmi.net/
Postimi i tij i plotë: