​Fushë-Kosova zgjohet pasdite, qytetarët shtojnë interesimin për votim

Në shkollën “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë, e cila është qendra më e madhe e votimit në këtë komunë, procesi i votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve është duke shkuar pa probleme. Në orët e pasdites së sotme shihet interesim më i madh i qytetarëve për të votuar, derisa deri në orën 13:00 kanë votuar…

Lajme

09/11/2025 14:27

Në shkollën “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë, e cila është qendra më e madhe e votimit në këtë komunë, procesi i votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve është duke shkuar pa probleme.

Në orët e pasdites së sotme shihet interesim më i madh i qytetarëve për të votuar, derisa deri në orën 13:00 kanë votuar rreth dy mijë qytetarë nga 12 mijë e 339 qytetarë me të drejtë vote.

Menaxheri i kësaj qendre të votimit, Ismet Gashi, tha se procesi deri tani po vijon normalisht dhe pa probleme të theksuara.

“Tash ka filluar një numër më i madh i qytetarëve që të vijnë për të votuar. Në këtë qendër janë 12 mijë e 339 votues. Deri tani, deri në orën 13:00, kanë votuar 1,802 votues. Numër jo aq i kënaqshëm, por tash pasdite po shihet se kanë filluar të vijnë qytetarët dhe besoj se do të rritet numri i votuesve… Për momentin jo. Çdo gjë është duke vijuar normalisht si proces i votimit”, tha ai.

Në Fushë Kosovë po zhvillohet raundi i dytë i votimit ku në garë për kryetar janë kandidati i LDK-së Besnik Osmani dhe kandidati i LVV-së, Valon Prebreza.

Në anën tjetër, qytetari Fadil Jusufi, duke folur  tha se procesi i votimit shkoi mirë dhe pa probleme, derisa theksoi nevojën e ndryshimit në Fushë-Kosovë.

“Jashtëzakonisht mirë dhe një numër mjaft i mirë ishin që kishin dalë… Presim disa ndryshime, por ndryshime të mëdha nuk mund të ketë. Konsideroj se ato parregullsi që janë bërë më herët, nuk mund të përmirësohen sot. Ka mundësi të bëhen disa përmirësime të vogla, por jo të mëdha”, tha ai.

Po ashtu edhe një qytetar tjetër theksoi nevojën e ndryshimit në komunën e Fushë Kosovës, derisa tha se procesi i votimit shkoi pa probleme.

“Shumë mirë ishte. Tollovi nuk kishte, ne po presim ndryshime dhe shpresoj të bëhet më mirë. Deri tash i kemi provuar këta të tjerët, tash shpresoj me këta të rinjtë bëhet më mirë”, theksoi ai.

Në komunën e Fushë-Kosovës të drejtë vote kanë mbi 51 mijë qytetarë, të cilët mund të votojnë në 16 qendra votimi me gjithsej 59 vendvotime.